Nuk ka qetësi nga dëmtimet te Interi. Përveç humbjes ndaj Liverpool, zikaltërit tani duhet të përballen edhe me mungesa.
Hakan Calhanoglu dhe Francesco Acerbi mbyllën ndeshjen para kohë, duke u larguar të lënduar. Të dy e kanë të sigurt mungesën ndaj Genoas në kampionat në fundjavë.
Sa i përket Calhanoglu, gjasat janë që të rikthehet për Superkupën e Italisë në Riad. Ai ka probleme në muskulin e djathtë, por ka shpresa se mund të rikuperohet për Superkupën.
Ndryshe është situata për Acerbin. Mbrojtësi ka tendosje në bicepsin femoris të kofshës së djathtë dhe për të viti është mbyllur. Italiani pritet të kthehet në fushë pas një muaji.
Jashtë do të jetë edhe Denzel Dumfries, rikthimi i të cilit është shtyrë, ndërsa mund të rikuperohet Darmian.

