Lajme

Shteti i Kosovës konfiskon edhe një NOKIA në vlerë dy euro

04/22/2019 12:42
nga:Gazeta Blic

Një telefon i modelit NOKIA që kushtonte rreth dy euro është pasuria me vlerën më të ulët që ka konfiskuar që nga paslufta, Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar në Kosovë.

Megjithatë, ka pasur raste kur pasuritë e konfiskuara kanë qenë në vlerë qindra mijëra euro.

Liridona Zeqiri nga kjo Agjenci, ka treguar për inFokus se në një rast janë konfiskuar stoli ari të cilat kishin vlerën e plot 618 mijë e 499 euro.

Megjithatë, ndër vite kjo agjenci më shumë bënë sekuestrim të pasurisë, sesa konfiskim të saj.

Kështu ka ndodhur edhe në vitin 2018, ku dallimi është i lartë.

“Në vitin 2018 sekuestrime të pasurisë janë bërë në vlerë 900 mijë euro, kurse konfiskime janë bërë në vlerë 68 mijë euro. Në total vlera e sekuestrimeve dhe konfiskimeve është rreth një milion euro”, ka thënë Zeqiri.

Në një raport të publikuar nga ministria e Financave shihet se që nga viti 2010, vlera më e lartë e pasurisë së konfiskuar ishte realizuar në vitin 2017, ku ishin konfiskuar pasuri në vlerë të 507 mijë eurove.

E vlera më e ulët e pasurisë së konfiskuar është arritur në vitin 2010, ku vlera e tyre kishte arritur vetëm në 1 mijë e 720 euro.

Megjithatë, vlerë shumë më të lartë ka pasuria e cila është sekuestruar përkohësisht.

Në vitin 2016, vlera e kësaj pasurie kishte qenë 2.1 milionë euro.

Që nga viti 2010, vlera më e ulët e pasurisë së sekuestruar ka qenë në vitin 2011.

Atë vit ishin mbledhur pasuri në vlerë të 41 mijë e 852 euro. /Gazeta inFokus

11/14/2019 13:26

Varhelyi: Dialogu Kosovë-Serbi të përmbyllet suksesshëm më 2020