Opinion

Shqiptarët në Maqedoni, kategori kushtetuese shtetformuese

10/02/2018 19:54
nga:Melihate Tërmkolli

Maqedonia dështoi në referendumin për ndryshimin e emrit si kusht dhe garancë për anëtarësim në NATO dhe BE. Ndoshta jo krejt një dështim i plotë real, një gjysëm dështimi, edhe nga maqedonasit edhe nga shqiptarët.

Shqiptarët në Maqedoni, me mbi 40% të popullatës (jo 25% sa thonë shifrat zyrtare, ose 20 % që thonë shpesh zyrtarë të BE-së), me dekada po trajtohen si një leckë nga politika maqedonase dhe nga udhëheqja politike shqiptare atje, e korruptuar, e ndarë dhe e përҁarë për interesa të maqedonasve dhe ideologjive tjera antishqiptare që vijnë nga Turqia dhe Rusia kryesisht.

“Marrëveshja e Ohrit”, poashtu mund të quhet pothuajse e dështuar. Populli shqiptar në Maqedoni prej 40% të popullatës, ende nuk e ka të garantuar as gjuhën e vet si gjuhë zyrtare, të drejtën më elementare të cilën duhet ta garantojë shteti dhe kushtetuta, e të mos flasim për të drejta tjera.

BE-ja e parimeve dhe kritereve demokratike, jo veҁ nuk shqetësohet asnjëherë për këtë ҁështje por as që e konsideron “të qenë” si problem, përderisa në Kosovë “i qet sytë duҁ” për serbët prej 5% të popullatës, madje bëhet edhe “palë” afirmuese në realizimin e apetiteve serbe për t’ia ndarë Kosovës edhe territorin!.

Anash gjithë tjerat, problemi kryesor dhe qendror janë vetë shqiptarët, udhëheqja e tyre politike e cila është e zënë me sigurimin e pasurisë personale, përkthim pronash për vete dhe jo për të drejtat dhe statusin e shqiptarëve në Maqedoni.

Me dekada dëgjojmë gënjeshtra për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, për zyrtarizimin e gjuhës shqipe në Maqedoni dhe me dekada kjo marrëveshje nuk zbatohet. Për një të drejtë më elementaren, po të tjerat ku janë?! Marrëveshja nuk zbatohet sepse udhëheqja politike shqiptare e korruptuar, për të ruajtur dhe mbrojtur veten është futur në strofullën e politikës kundër shqiptarëve dhe nuk jep pesë pare për 40%-shin e shqiptarëve në Maqedoni.

Shqiptarët urgjentisht duhet të sigurojnë pozitën e vet si kategori kushtetuese e kombit shtetformues të Maqedonisë. Është dëm tepër i madh që shqiptarët të bëhen pjesë e ҁfarëdo aktiviteti tjetër të Qeverisë së Maqedonisë për ndryshimin e emrit derisa nuk e realizojnë të drejtën e tyre më elementare për statusin e popullit shtetformues me të gjitha të drejtat që derivojnë nga ky status, të barabartë me maqedonasit.

Është një rast i cili nuk bën të lëshohet. Nuk është tepër vonë ende! Në fakt, është dashur një përkrahje shumë më e madhe e udhëheqjes politike të Kosovës dhe Shqipërisë, sikur të ishin udhëheqje që punojnë për interesa kombëtare.

12/13/2018 21:30

E thotë Haradinaj: Ky është kushti për të shkuar në zgjedhje të reja