Emocionet e Kampionatit Evropian Euro 2024 janë çdo ditë e më afër.
Shqipëria do të jetë pjesëmarrëse për herë të dytë në histori të saj si Kombëtare në Kampionate Evropiane dhe do të kenë punë të vështirë në fazën e grupeve aty ku në grupin që është cilësuar si “i vdekjes” do të ballafaqohet me skuadra si, Spanja, Italia dhe Kroacia.
Trajneri Sylvinho sot me fillim nga ora 16:00 pritet të publikojë listën me emrat e lojtarëve që do të përfaqësojnë “Kuqezinjtë” në “Euro 2024” në Gjermani.
Komentatori dhe gazetari i sportit nga Shqipëria, Ylli Aga ka folur për GazetaBlic Sport ku ka potencuar se trajneri Sylvinho ka punë të vështirë në përzgjedhjen e grupit të lojtarëve që do marrin pjesë në “Euro 2024”.
“Lista e sigurtë që nuk do t’i bëjë të gjithë të kënaqur është një problem për çdo trajner. Kujtoj se në 11 ndeshje, që Silvinho ka drejtuar Shqipërinë, ka grumbulluar 40 futbollistë, 31 nga të cilët kanë marrë minuta aktivizimi. Me një matematikë të thjeshtë, në listën me maksimumin e 26 futbollistëve, do të ketë patjetër të pakënaqur. Secili nga ne ka preferencat e tij, por në rastin tonë, duhet të respektojmë zgjedhjet për emrat dhe strategjinë e Silvinhos dhe stafit të tij. Pjesa më e ndërlikuar për sa i takon zgjedhjeve do të jetë në repartin e sulmit. Në eliminatore janë provuar 14 sulmues të ndryshëm, nga të cilët besoj se në listën finale duhet të jenë vetëm 7 ose maksimumi 8 emra. Cilido qoftë emri i tyre, duhet respektuar zgjedhja e stafit teknik. Nëse fillon polemika për listën, imagjino çfarë duhet të bëjmë kur të vijë rradha për formacionin. Në çdo rast, jam i sigurt që Shqipëria do të përfaqësohet me zgjedhjet e saj më të mira, dëshirën për të na përfaqësuar denjësisht dhe dëshirën për të marrë rezultate pozitive në çdo ndeshje”, tha Aga për GazetaBlic Sport.