Lajme

Shqipëri, 17 të plagosur nga përdorimi i fishekzjarreve në ndërrimin e viteve

01/02/2018 08:39
nga:Gazeta Blic

Policia e Shtetit mori një sërë masash shtesë me rastin e festës së ndërrimit të viteve.

Njësia Antieksploziv e RENEA-s, duke përdorur qentë antieksploziv, gjatë orëve të pasdites së datës 31 Dhjetor 2017 kanë kontrolluar parkingun e nëndheshëm në sheshin ‘Skënderbej’, ku pati festime, shkruan lapsi.al.

Ky shesh më pas është marrë nën kontroll nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe ne bashkëpunim me Policinë private, kanë kontrolluar automjetet që u parkuan deri në orët e para të mëngjesit të datës 1 janar 2018.

Kontrolle të imtësishme nga agjentë të antiterrorit janë kryer në të gjitha sheshet kryesore ku do kryheshin festime me rastin e ndërrimit të viteve.

Gjatë ndërrimit të viteve si rezultat i hedhjes së fishekzjarreve, në të gjithë vendin janë lënduar lehtë 17 persona, të cilët kanë marrë mjekim dhe janë larguar në banesat e tyre, ndërsa 1 shtetas nga Dibra është transportuar për në Tiranë për ndërhyrje më të specializuar pasi ishte dëmtuar në sy.

Është dëmtuar gjithashtu 1 automjet i parkuar, si pasojë e përdorimit të fishekzjarreve.

Në Laç shtetasi K. Gj., 16 vjeç, banues në Sanxhak, është gjetur i vdekur nga familjarët në taracën e banesës së tij me një dëmtim në koke. Trupi i viktimës është dërguar në Tiranë për një ekspertizë mjeko-ligjore më të specializuar për të përcaktuar nga se i është shkaktuar dëmtimi që ka humbur jetën.

Nuk ka patur ngjarje kriminale si grabitje me dhunë ose me armë, apo plagosje e vrasje, si dhe nuk është shënuar asnjë aksident me pasojë vdekjen apo me plagosje të rënda.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 4 aksidente me pasoja të lehta.

Policia Rrugore në të gjithë vendin ka vijuar gjatë gjithë orëve të para të mëngjesit kontrollin për parandalimin e drejtimit të automjetit nën efektin e akoolit apo në gjendje të dehur, për shpejtësinë tej normave të lejuara si dhe për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit, por edhe për shkelje të tjera që janë burim aksidenti.

Në të gjithë vendin janë pezulluar 32 Leje Drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, nga to 14 patenta vetem ne Tirane.

Nga Policia Rrugore e Tiranës, gjatë orëve të para të mëngjesit është arrestuar 1 drejtues mjeti për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

12/04/2019 21:11

Flet babai i vëllezërve që vdiqën nën rrënoja: Nuk udhëtonin kurrë bashkë, frikësoheshin se vdisnin në aksident