Cult

“Shpia e Agës”, pas triumfit të dyfishtë në Stamboll vazhdon rrugëtimin në Lubjanë

10/30/2019 21:58
nga:Gazeta Blic

Filmi “Shpia e Agës” me regji të Lendita Zeqirajt, gjatë muajit nëntor do të shfaqet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Lubjanë.

Ky projekt filmik, rrugëtimin për në Slloveni e vazhdon menjëherë pas lajmit për triumfin e dyfishtë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Bosforit. Në këtë festival, “Shpia e Agës” mori “Çmimin për aktoren më të mirë” dhe “Çmimin special të jurisë”, raporton “Express” i KTV-së.

Çmimi për aktoren më të mirë i është ndarë katërshes së aktoreve: Adriana Matoshi, Rozafa Çelaj, Shengyl Ismaili dhe Melihate Qena.

Filmi i metrazhit të gjatë “Shpia e Agës” u dha premierë botërore duke u shfaqur në konkurrencën “East of the West” në njërin nga festivalet më të rëndësishme evropiane dhe botërore, në Karlovi Vari të Çekisë.

Ky projekt ka pasur premierën kosovare në gusht të këtij viti, ku edhe është njoftuar për rrugëtimin e tij në 35 festivale ndërkombëtare.

“Shpia e Agës” me producent Bujar Kabashin, ka në role kryesore aktorët Arti Lokaj, Rozafa Çelaj, Adriana Matoshi, Shengyl Ismaili, Melihate Qena,etj.

Ky film është bashkëprodhim ndërmjet Kosovës, Kroacisë, Francës, dhe Shqipërisë

Filmi do të shfaqet në Festivalin Ndërkombëtar të Lubjanës më 13 nëntor.