Lajme

Shpend Ahmeti reagon ndaj takimit Thaçi- Vuçiq: Nuk duhet takim të katërt!

11/09/2018 12:59
nga:Gazeta Blic

Kryetari i Partisë Social Demokrate, Shpend Ahmeti ka reaguar ndaj takimit të djeshëm ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij serb, Aleksander Vuçiq.

Ahmeti në një shënim në Facebook ka thënë se takimi i tretë i zhvilluar dje ndërmjet dy presidentëve është pa mandate dhe pa platformë.

Ai ka thënë se nuk duhet lejuar presidentin ta zhvillojë edhe takimin e katërt me Vuciqin, raporton Gazeta Blic.

Takimi i tretë në mes të Thaqit dhe Vuqiqit është takimi i tretë pa mandat dhe pa platformë. Pra edhe ky takim ishte pa legjitimitet ligjor e politik. Për më shumë është takimi i tretë publik i Thaqit pa transparence e raportim.

Kuvendi i Kosovës duhet që urgjentisht të arrijë marrëveshje për rrugën përpara. Kosova duhet ta draftojë platformen dhe ta mandatojë ekipin gjithëpërfshirës shtetëror në këtë process tepër sfidues e të rendësishëm për Kosovën.

Në kohën kur Serbia po bëhet gjithnjë e më agresive, e Thaqi gjithnjë më jolegjitim e jotransparent, duhet urgjentisht ta vendosim procesin në binarë demokratik e institucional.

Takim të katërt të tillë nuk duhet të ketë!