Lajme

Shpejtim Bulliqi: Agim Veliu nuk i ka trajtuar qytetarët barabartë, ka qeverisë me hile

03/09/2020 20:59
nga:Norë Kelmendi

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosjes për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqi mbajti tubim elektoral në Lluzhan, ku shpalosi programin e tij qeverisës.

Bulliqi premtoi qeverisje të barabartë për të gjithë qytetarët llapjan, pa dallime. Ai tha se në pushtet nuk po vjen për me vjedhë buxhetin, sikur bënë ata që ishin në pushtet, por për ta menaxhuar në mënyrë të drejtë dhe transparente.

Ai po ashtu banorëve të kësaj ane iu premtoi investime për rregullimin e infrastrukturës së ujerave të zeza dhe kolektorit. Për çështjet e punësimit, Bulliqi tha se punësimin nuk e zgjidhë komuna, por sipas tij, krijon infrastrukturë për punë.

Bulliqi premtoi se si pushtet i ri, nuk do të bëhen gabime, për arsye se do të ketë qeverisje me duar të pastra dhe njerëz profesional. Ndërsa, për bujqësinë tha se nuk do t’u ndajnë pajisje bujqësore atyre që jetojnë në Prishtinë, por atyre vërtet merren me bujqësi dhe blegtori.

Ai kërkoi votë e qytetarëve, për të larguar siç tha një qeverisje që deri tash ka punuar me hile.

“Ne jemi fut në një proces zgjedhor, ashtu siç ndodhi, por u bë mirë, sepse shkoi një kryetar, i cili pas vetës la një qeverisje të keqe për t’i lëshuar frymë një ndryshimi më 15 mars me Lëvizjen Vetëvendosje… Një pushtet i cili qytetarët e vet nuk i ka trajtuar të barabartë. Një kryetar i cili ka bërë dallime me qytetarët e vet, që kanë qenë të ndërlidhur me partinë. Pavarësisht subjekteve politike, ka qeverisë me hile, duke iu dhënë përparësi klaneve dhe grupeve të caktuara. Si rezultat i kësaj qeverisje me hile, kemi ardhur një situatë jo të këndshme. Podujeva ka mbet një ndër qytetet më të pazhvilluara”, tha Bulliqi.

Po ashtu ai tha se me votat e PDK-së, ish krye tari Veliu ishte në pushtet për gjithë këto vite, dhe kështu po mendon LDK t’i fitojë zgjedhjet edhe kësaj radhe. Ndërsa shtoi se fëmijët e ish-kryetarit po e luajnë rolin e kryetarit, duke shkuar nëpër shtëpi për të dhënë para, vetëm e vetëm që të mbesin në pushtet.

“Është krijuar një administratë, që sot po del fytyra e vërtet e saj, për arsye se fëmijët e ish-kryetarit, në pjesën dërmuese të lokalitetit të Llapit po e luajnë rolin e kryetarit, janë kah u shkojnë njerëzve nëpër shtëpi, po ju premtojnë rrugë, po iu ofrojnë njerëzve para. Po ju ofrojnë lloj-lloj benefitesh që kanë mundur me bërë tash e 20 vjet dhe nuk e kanë bërë, ndërsa sot e kanë gjet momentin, sepse mendojnë me qeverisë edhe pak ngaqë ju ka lënë lezet atyre”, theksoi ai.

Ndërsa, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fitim Haziri nga LVV tha se është momen ti të bëhet ndryshimi, ai ndryshim që ndodhi në qendër, duhet të ndodhë edhe në Podujevë.

“Shpejtim Bulliqi si deputet dhe profesor, i la dy pozita për të sakrifikuar për këtë vend, dhe pa sakrificë nuk ecet përpara. Duhet të shikohet interesi i përgjithshëm, jo personal. Ndërsa kryetari shkoi në ministri na la në lloq. Ndërsa kandidati tjetër nuk është asgjë tjetër, vetëm një kukull e atij që ishte deri më tash”, tha Haziri.

Edhe Fatmir Humolli ka kërkuar nga banorët e Lluzhanit që të dalin të votojnë më 15 mars për kryetar Shpejtim Bulliqi për ndryshim në Llap.

06/07/2020 12:11

Veliu e Rakiq lënë komunat e tyre pa kryetarë, presidenti ende nuk ka vendosur për datën zgjedhjeve!