Sporti

Shoqata e futbollistëve tregon procedurën për lojtarët që nuk janë paguar nga klubet

08/05/2020 17:14
nga:M K

Shoqata e futbollistëve kosovarë ka reaguar lidhur me ngjarjet e fundit, ku disa skuadra ende nuk i kanë kryer obligimet ndaj futbollistëve.

Ajo i ka ftuar lojtarët që këto çështje t’i adresojnë në shoqatë, ndërsa një ankesë veçmas në FFK, ku më pas pritet edhe të shqyrtohen, përcjell GazetaBlic.

Gjithashtu, SHMDFK uroi skuadrat kampione të kategorive të ndryshme dhe ato që do të na përfaqësojnë në garat ndërkombëtare.

Më poshtë e keni komunikatën e plotë:

Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve të Kosovës (SHMDFK) uron ekipin e Drita FC për shpalljen kampion të elitës së Kosovës në futboll për vitin kalendarik 2019/2020; ekipin FC Prishtina për fitimin e ‘Digitalb Kupës së Kosovës’ dhe njëherit të trija ekipeve pjesëmarrëse në parakualifikimet për garat europiane (Liga e Kampionëve dhe Liga e Evropës), përkatësisht Drita FC, Prishtina FC dhe SC Gjilani. Shoqata iu uron sukses dhe përfaqësim sa më dinjitoz të futbollit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Urime KFF Mitrovica për shpalljen kampion në Superligën e femrave të Kosovës si dhe sukses në pjesëmarrjen në garat europiane.
Urime KF Arbëria dhe KF Besa për inkuadrimin në Superligë, urime KF Kika dhe FC A&N inkuadrimi në Ligën e Parë, urime KF Vjosa dhe KF Dushkaja për inkuadrim në Ligën e Dytë të Kosovës.
Një kampionat që filloi mirë por që për shkak të pandemisë u desh të ndërpritej përkohësisht, dhe si pasojë futbollistët humbën ritmin e ndeshjeve për tre (3) muaj. Një mini fazë përgatitore para rifillimit të kampionatit dhe menjëherë ndeshje të shpeshta (çdo 3 ditë) ndikuan që disa futbollistë të pësojnë lëndime si dhe kishte të atillë që rezultuan pozitiv me virusin Covid-19. Të gjithë futbollistëve që ende po përballen me lëndimet e pësuara dhe virusin në fjalë, shoqata ju uron rikuperim dhe rikthim të shpejtë në ekipet e tyre.
Shoqata bën thirrje tek të gjithë futbollistët të cilëve iu ka skaduar kontrata e punës me klubet e tyre aktuale që në rast se të njejtëve nuk iu janë kryer të gjitha obligimet financiare të parapara si në kontratë nga ana e punëdhënësit – klubit, të njejtit të bëjnë ankesë në FFK si dhe një kopje elektronike ta dërgojnë në adresën elektronike të ShMDFK: [email protected] Të njejtën procedurë udhëzohen fuqishëm ta ndjekin edhe futbollistët e tjerë që kanë kontrata pune më afatgjate por ndaj të cilëve klubet kanë dështuar të kryejnë obligimet financiare.
Përkundër vështirësive që ka sjellur pandemia në punët tona të përditshme, SHMDFK konfirmon anëtarët dhe opinionin e gjerë se aktivitetet brenda dhe jashtë vendit me qëllim ngritjen e ndërgjegjësimit dhe marrjen e përkrahjes nga institucionet relevante do te vazhdojnë me intenzitet të shtuar. Shoqata është gjithmonë me dhe pranë futbollistëve.

Me respekt,
Bordi i SHMDFK

/GazetaBlic/