Euro2024

Shkodran Mustafi i bashkohet stafit të Gjermanisë

06/25/2024 13:01
nga:Mergim Rreci

Shkodran Mustafi ishte i vetmi lojtar me origjinë shqiptare që ia ka dalë të trifumojë në një kupë bote.

32-vjeçari ishte pjesë e përfaqësueses gjermane në botërorin “Brazil 2014”, ku panzerat arritën të shpalleshin kampion bote për herë të katërt në histori. Mustafi, i cili është aktivizuar në 20 ndeshje miqësore dhe zyrtare me Gjermanët, ku ka arritur të shënoi edhe 2 gola, do të jetë pjesë e stafit teknik të përfaqësueses U-17.

Ishte vetë federata Gjermane që zyrtarizoi emërimin e Mustafit në stafin përfaqësueses U-17:

“Shkodran Mustafi i bashkohet futbollit të të rinjve si ndihmës trajner i Marc Meister. Nga 1 korriku Mustafi do të ndjekë nga afër talentet e lindur në vitin 2008.”-bën me dije federata gjermane.

Nga ana e tij Mustafi u shpreh tejet i lumtur për aventurën e tij të re, teksa nuk harron objektivin e tij të madh: “Prej disa kohësh dëshiroja të fitoja përvojë si trajner. Nga njëra anë do të kisha dashur të luaja më gjatë futboll. Nga ana tjetër, mezi pres që të hedh hapat e mi të parë si trajner. Do të doja t’u transmetoja djemve të gjithë përvojën që kam fituar në kohën time nga U-15 deri në U-21 dhe padyshim me Kombëtaren A”.