Lajme

Shkodra: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit duhet të gjejë zbatim

03/11/2024 19:29
nga:G B

Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Selami Shkodra, tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit duhet të gjejë zbatim.

“Unë e kam mendimin e qartë, çdo vendim të Gjykatave pavarësisht të instancave, kur është e formës së prerë e veçanërisht të asaj të Gjykatës Kushtetuese, duhet të gjejnë zbatim”, u shpreh ai.

Shkodra tutje tha se mendon se duhet mësuar se ato vendime dalin nga një Gjykatë e Kosovës, dhe sipas tij nuk kanë karakter diskriminues sikur në të kaluarën.

“Situata ka ardhur deri aty sa që edhe kushtëzohemi ashtu sikur në rastin e Demarkacionit – kufirit me Malin e Zi, a të jemi pjesë i Këshillit të Evropës, apo të zbatohet ky vendim i një Gjykatës vendore”, tha ish- zëvendësministri.

“Kushtëzimi fillimisht është i padrejtë sepse këtu ka më shumë se 10 vite që Kosovës i vendosen lloj lloj kushte dhe kritere të çuditshme nga Bashkësia Ndërkombëtare. Mirëpo meqë dihet se si ka ardhur shtetësia e Kosovës, e tëra ka qenë një kompromis, edhe në rastin konkret mendoj se është avantazh sepse vendi përfiton jashtëzakonisht shumë me anëtarësimin në Këshillin e Evropës – nuk duhet humbur rasti”, u shpreh mes tjerash ai.

Shkodra tutje në Info Magazine, tha se mendon se ekzekutivi aktual do të bëj kompromis, sepse sipas tij ka ndodhur që kështu ka vepruar edhe në raste të tjera.