Janë mbyllur të gjitha ndeshjet e javës s 17-të, të Ligës së Parë të Maqedonisë, me duele mjaft interesante, por të gjitha u luajtën pa praninë e publikut.
Ky vendim nga Komisioni për gara të FFM-s, erdhi për shkak të një vlerësimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme për zhvillimet e fundit dhe parandalimin e çdo lloj dhune dhe keqpërdorimi para, gjatë dhe pas ndeshjeve të futbollit.
Krye ndeshja e javës u luajt në stadiumin e Çairit, ku u përballën ekipet e Shkupit dhe Strugës. Ndeshja përfundoi me fitoren e Shkupit me rezultat të pastër 3-0, që ishte fitorja e parë për Shkupin pas pesë disfatave radhazi.
Shkupi kaloi në epërsi herët në pjesën e parë me golin e Guye, ndërsa për 2-0 shënoi Asani nga pika e bardhë e penalltisë. Edhe në pjesën e dytë Shkupi ishte ekip më e mirë, ndërsa goli i tretë erdhi në minutën e 74’t, ku Guxhufi u nis në një kundërsulm, ndërsa në fund pasoi për Stojanovskin i cili e pati të thjeshtë për të shënuar. Kur pritej fishkëllima e fundit nga arbitri Pileshkov, Kehinde në minutën e dytë të kohës shtesë zbuti disfatën në 3-1.
Shkëndija fitoi me rezultat minimal derbin e vogël shqiptar me Voskën në Ohër. Golin e vetëm të kësaj sfide e shënoi Flioren Ramadani në pjesën e dytë, kur po luhej minuta e 51’. Me këtë fitore Shkëndija është shkëputur në pozitën e parë me dy pikë më shumë se konkurrentët Sileksi, Gostivari dhe Rabotniçki.
Gostivari dhe Sileksi luajtën një lojë tepër të rëndësishme, por që në fund nuk pati fitues e as nuk u shënuan gola. Ky barazim sigurisht se nuk i shkon në favor Gostivarit, që mundë të humb ritmin me liderin Shkëndijën e Tetovës.
Në minutën e 70-të, ndeshja në lagjen Maxhari në Shkup u ndërpre për një moment, pasi me të drejtë futbollistët e Gostivari kërkuan penalltin, për shkak të lojës së dukshme me dorë të një lojtari të Sileksit. Arbitri edhe pas protestave të Gostivarit shkoi të konsultohej me ndihmësit e tij, por në fund vendimi i tij fillestar mbeti në fuqi. Vetëm pak minuta më vonë pasoi një tjetër tronditje për Gostivarin, pasi Simonovski mori direkt karton të kuq, kështu që Gostivari e mbylli ndeshjen me një lojtar më pak në fushë.
Rabotniçki ka marrë fitore shumë me vlerë në udhëtim te Brera në Strumicë me rezultat 1-3. Autor të golave për Rabotniçkin ishin Atdhe Mazari, Besir Demiri dhe Gandi, ndërsa golin e vetëm Brera e shënoi në minutën e 73 me anë të Mato.
Besa e Dobërdollit ka marrë edhe një disfatë, kësaj radhe u mund minimalisht nga Pelisteri në Manastir, me golin që shënoi Ivanovski në minutën e 18’. Në këtë gol kishte ankesa nga ekipi i Besës, pasi pretenduan se Ivanovski kishte shënuar golin me dorë.
Në barazim dhe pa fitues është mbyllur dueli në mes Vardarit dhe Tikveshit 1-1, rezultat që nuk i shkon përshtati asnjërës ekip për të ikur nga fundi i renditjes.
Rezultatet: Shkupi – Struga 3-1, Voska Sport – Shkëndija 0-1, Gostivari – Sileksi 0-0, Pelisteri – Besa 1-0, AP Brera – Rabotniçki 1-3 dhe Vardari – Tikveshi 1-1.