Lajme

Shkëmb Manaj: Kurti dhe mentaliteti i tij komunist, ka shkatërruar Administratën Publike

11/28/2024 22:30
nga:G C

Kandidati i LDK-së për deputet, Shkëmb Manaj, ka deklaruar se është ende herët për të folur nëse do të emërohet ministër i Drejtësisë, duke theksuar se kjo është një çështje që do të vendoset nga strukturat e partisë.

“Është herët që të flasim për këtë temë, pra a do te jem ministër i drejtësisë apo jo, është pjesë e vendimmarrjes së strukturave të Lidhjes Demokratike të Kosovës në një fazë të më vonshme dhe ne duhet t’i respektojmë vendimet e partisë”, tha Manaj.

Në anën tjetër, Manaj kritikoi ashpër Qeverinë Kurti për goditjet ndaj shërbimit civil dhe administratës publike, duke akuzuar pushtetin aktual për tentativë kapjeje të shtetit përmes presioneve ndaj zyrtarëve publikë dhe ndryshimeve të ligjeve.

“Qeveria Kurti i ka bërë goditje edhe shërbimi civil dhe gjithë Administratës Publike në vend. Vendimi i parë i kësaj Qeverie për të shkaktuar anëtarët e bordeve të institucioneve të pavarura, ka qenë i planifikuar në mënyrë që ta kapë Administratën Publike, sepse ka pasë tre-katër tentime për të bërë diçka të tillë”, tha Manaj.

“Zyrtarët publik janë goditur shumë nga kjo Qeveri, në aspektin e pagës, presionit të punës në mënyrë që të krijojë situata që këta zyrtarë ta lëshojnë punën vetë. Në disa raste ja kanë arritur, sepse shumë profesionistë të shërbimit civil e kanë lëshuar vendin e punës”, shtoi ai.

Ai këto tentativa të kryeministrit Kurti i quan “mentalitet i sistemit komunist”.

“Nuk kanë lënë formë që përmes ligjeve të bëjnë këtë presion, edhe herën e fundit kur Gjykata Kushtetuese vendosi që përcaktimi i mandatave për pozitat e përhershme të nivelit të mesëm dhe të ulët është kundërkushtetues, përsëri pushteti aktual e nxorri një ligj ku vendosi me Kushtetutën dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”

“Por, nëse e shohim në esencë, të gjitha vendimet që ka marrë kjo Qeveri janë tentime për ta kapur gjithë shtetin e Kosovës. Ky është mentalitet i sistemit komunist”, tha Malaj.

Tutje, sipas Manaj, nëse LDK-ja e fiton pushtetin, shumë gjëra do të ndryshojnë, sa i përket Administratës Publike.

Ai tregoi edhe disa nga çështjet e këtij shërbimi civil që duhet të jenë krejtësisht ndryshe.

“Kjo Qeveri e ka lënduar shërbimin civil, por është ruajtur kurrizi. Më herët është ruajtur shërbimi civil, kanë pasë garancione edhe ligjore edhe kushtetuese që zyrtarët e shtetit t’i ushtrojnë funksionet e tyre. Këta e kanë lënduar në një masë të madhe, Qeveria e ardhshme duhet të punojë shumë që ta kthejë shërbimin civil në pikën ku kemi qenë më herët”

“E para, zyrtarëve publik duhet t’iu kthehet dinjtiteti përmes pagës. 150 euro është koeficienti i cili do të realizohet në javën e parë të Qeverisë së kryeministrit Lumir Abdixhiku, pastaj është se duhet të ndryshohet legjislacioni ku mendoj se duhet ta kemi një ligj të shërbimit civil, që shmicën e zyrtarëve publik të Kosovës i fut brenda një ligji, pra nuk kemi nevojë që të jenë katër-pesë kategori brenda Administratës Publike, tha Manaj për GazetaBlic.