Lajme

Shkëlzen Maliqi: ShBA ndoshta nuk e do përfshirjen direkte në dialogun Kosovë-Serbi!

08/01/2020 12:01
nga:Y I

Njohësi i çështjeve politike, Shkëlzen Maliqi, në një prononcim për Gazeta Blic ka folur më gjerësisht rreth përfshirjes së Brukselit në procesin e dialogut.

Maliqi thekson se megjithëse nga BE-ja është premtuar arritja e një marrëveshje shumë shpejt, kjo është vështirë të besohet për shkak të mungesës së unitetit vetë brenda BE-së.

“Çështja e përfundimit te negociatave me Serbinë është komplikuar mjaft, pasi që duket sikur ndërmjetësimi i SHBA-ve dështoi. Riçard Grenelli, i cili ishte faktori përshpejtues që nga janari i këtij viti s’po ndihet më gjallë, kurse Brukseli, me dy lokomotivat të drejtuara nga kancelarja Merkel dhe presidenti Makron, disi me nguti e mori përsipër që ta zëvendësojë Uashingtonin. Edhe Makron sikur premtoi me gjysmë gojë marrëveshje të shpejtë dhe përfundimtare nëse jo deri në fund të këij viti atëherë nga fillimi ose mesi i vitit 2021! Por, është vështirë t’i besohet kësaj duke pasur parasysh mungesën e unitetit në BE që nuk ishte në gjendje t’i sigurojë as liberalizimin e vizave për kosovarët, pasi që Kosova i plotësojë të gjitha kushtet disa vite më parë! Në Kosovë mbizotëron skepticizmi rreth mundësive të Brukselit, edhe pse nuk u refuza pjesëmarrja në aktivitetet rreth ringjalljessë dialogut me Serbinë me një agjendë që mbeti e mjegulluar, që Kosova e sheh si biseda për marrëveshje përfundimtare, kurse Serbia si vazhdim i dialogut teknik. Brukseli nuk e bëri të qartë ku po shkojnë bisedat e filluara” tha Maliqi për Gazeta Blic.

Maliqi tutje thotë se në këtë momente, ndoshta, Uashingtoni nuk e do përfshirjen direkte në procesin e dialogut Kosovë-Serbia për disa arsye.

“Mendoj se Uashingtoni ndoshta edhe nuk e do këtë si përfshirje direkte, pasi që Serbia disa herë e ka ndërlidhur këtë me kontramasën e përfshirjes së Rusisë në bisedime. Besoj se Amerikanët do të janë aktivë dhe të përfshirë në bisedimet dhe arritjen e zgjidhje finale, nëse ajo ndodhë në këtë fazë, po kjo nuk do të jetë përfshirje direkte, sepse Uashingtoni nuk e do edhe Moskën në tavolinën e bisedimeve për Kosovën. SHBA-të me Rusinë mund të bisedojnë në nivelet tjera, sikur që këtë e paralajmëroi edhe presidenti Makron, duke nisur kontakte me Rusinë me idenë që fuqitë e medha duhet të punojnë së bashkë në zgjidhjen e një sërë krizash rajonale (Deti i ZI, Mesdheut lindor, Lindja e afërt…), ku shumë shtete janë shkatëruar nga luftërat dhe intervenimet dhe ekziston nevoja që të ndryshohen disa rregulla të marrëdhënieve ndërkombëtare për të gjetur zgjidhje rreth Ukrainës, Sirisë, Irakut, territoreve të coptuara të Kurdistanit, Libisë etj.etj. kundërejt të cilave çështja e Kosovës dhe sigurisë së Ballkanit Perëndimor mbase edhe nuk çon aq shumë peshë, sepse mund dhe duhet t’i lihet BE-së që ta zgjidhë atë, pasi që bëhet fjalë për krizë në “oborrin” e zgjëruar të Brukselit”

Dialogu Kosovë-Serbi tashmë ka rifilluar sërish me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Pas aktakuzave të Speciales për Presidentin Thaçi dhe kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, dështoi edhe takimi i 27-Qershorit, ç’ka solli edhe largimin e  SHBA-ve nga tryeza e dialogut.

Ndërkohë në Bruksel është zhvilluar një takim në mes të Kryeministrit, Avdullah Hoti dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq si dhe një takim tjetër në nivel ekspertësh.

Temat që janë hapur në këto takime, janë kundërshtuar ashpër nga partnerët e LDK-së, si Haradinaj dhe Limaj të cilët kanë potencuar se në bisedime po shkohet për marrëveshje përfundimtare.

Sot edhe Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka propozuar formimin e një Qeverie me bazë të gjerë për të përmbyllur procesin e dialogut, raporton Gazeta Blic.

Pacolli propozon formimin e një Qeverie me bazë të gjerë