Garda Civile dhe Policia Kombëtare Spanjolle kanë shkatërruar një grup kriminal shqiptar, duke arrestuar pesë anëtarë të tij, të akuzuar për grabitjen e 13 banesave në të gjithë territorin spanjoll.
Grupi vepronte kryesisht në Salou, në provincën Tarragona, por më pas u shpërnda në disa provinca të tjera, përfshirë Alicante, Murcia, Madrid, Toledo, Granada dhe Jaén, ku realizoi grabitjet. Hetuesit zbuluan se anëtarët e grupit i fshihnin sendet me vlerë që vidhnin në një kasaforte, që u sekuestrua gjatë operacionit.
Pas hapjes së kasafortës, hetuesit gjetën bizhuteri të vjedhura dhe 21 800 euro cash.
Hetimi filloi nëntorin e kaluar, pasi u identifikuan grabitje të ngjashme në disa banesa.Grabitësit u zbuluan nga një automjet me të cilin largoheshin dhe që ishte i regjistruar në Itali, në një kompanie me qira automjetesh.
Kjo informatë i mundësoi hetuesve të zbulojnë identitetet e anëtarëve të grupit, të gjithë me kombësi shqiptare, dhe të lokalizojnë vendndodhjen e tyre në Tarragona.
Pas një operacioni të koordinuar, pesë anëtarët e grupit u arrestuan dhe gjatë bastisjes u sekuestruan bizhuteri, aksesorë, telefona celularë, pajisje transmisioni dhe mjete për vjedhje.
/Euronews Albania/