Lajme

Shkarkimi i Vjosa Osmanit, Demhasaj: Kjo është qërim hesapesh brenda grupeve të LDK-së

06/21/2020 17:39
nga:E Sh

Lidhja Demokratike e Kosovës dje i ka dhënë 70 vota për, kërkesës së liderit të saj, Isa Mustafës, për shkarkimin e Vjosa Osmanit nga pozita e nënkryetares dhe anëtares së kryesisë së këtij subjekti politik.

Largimin e saj, analisti politik Arton Demhasaj, po e sheh si qërim hesapesh të grupeve brenda LDK-së për ta eleminuar një figurë të fuqishme brenda kësaj strukture.

“Këto janë çështje të brendshme të partisë, brenda LDK-së ka shumë grupe që mundohen me e rritë ndikimin e tyre, kështu që kjo është qërim hesapesh brenda grupeve në LDK, duke marrë parasysh tash që znj. Osmani ka dalë vazhdimisht kundër ideve qoftë liderit apo grupeve brenda partisë, sigurisht që mundohen me e largu por edhe për faktin që është tregu që znj. Osmani ka një popullaritet të madh dhe janë mundu me e eleminu si një prej figurave kyçe të LDK-së”, tha ai.

Humbjen nga ky vendim, LDK-ja do ta pësojë me votat e qytetarëve.

Demhasaj për GazetaBlic thotë se pavarësisht se diferenca në vota nuk mund të jetë e madhe, një pjesë e tyre nuk do ta kenë për shkak të rezultateve të fundit nga zgjedhjet, kur LDK-ja mori një pjesë të madhe të votave për shkak të Vjosa Osmanit.

“Kjo mund të ndikojë në uljen e votuesve për LDK-në, sepse vazhdimisht kur ka pasë kësi kacafytje politike brenda grupeve, LDK-së, është pa që brenda LDK-së ka pasë rënie në përqindje. Mund të ndikojë që partia të ketë më pak vota në zgjedhjet e ardhshme për shkak të kësaj, sepse e dijmë se një kategori e votuesve që kanë votu LDK-në në zgjedhjet e fundit, e kanë votu për shkak të Vjosës. Mund të ketë humbje, por nuk besoj që mund të jetë ndonjë dallim apo diferencë e madhe sepse nuk kemi shumë votues që votojnë të themi për një kandidat të LDK-së, por votuesit e LDK-së janë më shumë votues që lidhen me partinë se sa me individë të caktuar”, shtoi Demhasaj.

Por se, a do të ketë ndarje nga LDK-ja, Demhasaj kujton praktikat e mëhershme të partisë, kur Nexhat Daci u largua nga ky subjekt politik për të krijuar një tjetër.

Demhasaj pohon se ekziston mundësi e tillë që edhe në rastin e Osmanit të ndodhë e njëjta gjë, por thekson se anëtarët e Këshillit të LDK-së që votuan kundër shkarkimit të saj, nuk do të thotë se do të jenë krah me të edhe në formimin e partisë së re.

“Mundet me pasë, praktikat e deritanishme të LDK-së tregojnë një gjë të tillë. E kemi në 2006 kur në zgjedhjet e brendshme z. Sejdiu fitoi si lider i partisë, Nexhat Daci u nda dhe krijoi një subjekt të ri politik. Kështu që mund të ndodhë edhe kjo, kur flasim për figura të fuqishme brenda partisë që pretendojnë se kanë numër të elektoratit, mund të ndodhë me u nda dhe me kriju subjekt të ri politik”.

“Edhe z. Haziri ka votu kundër, por kjo nuk do të thotë se edhe Haziri do të dalë nga LDK-ja, të krijoj një subjekt të ri me znj. Osmani”, tha për GazetaBlic Demhasaj.

Nga 123 anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, 95 prej tyre kanë marrë pjesë në votimin elektronik. Pro shkarkimit të Osmanit kanë votuar 70 anëtarë, 16 kundër e 9 kanë abstenuar.

Prej 16 anëtarëve që u shprehën kundër, Lutfi Haziri, Haxhi Avdyli, Fatmir Rexhepi, Valentina Bunjaku, Xhafer Tahiri e Ardian Shala e kanë bërë të ditur votën kundër, ndërsa ende nuk dihen emrat tjerë që kundërshtuan vendimin.

Pas njoftimit për shkarkimin, ka qenë i menjëhershëm reagimi i Osmanit në Facebook.

Duke falënderuar 53 anëtarët që nuk votuan pro shkarkimit të saj, të tjerëve u tha ‘shihemi në garën zgjedhore së shpejti’.

EKSKLUZIVE: Isa Mustafa i kërkon KP-së shkarkimin e Vjosa Osmanit nga nënkryetarja e partisë, vendos Avdullah Hotin në vend të saj

Vjosa Osmani i paralajmëron zyrtarët e LDK’së që e shkarkuan: Do të përballemi në zgjedhje

 

 

 

08/06/2020 13:37

Demhasaj: Ekziston mundësia që AAK-ja, NISMA e PDK-ja ta votojnë mocionin për rrëzimin e Hotit!