Opinion

Shi e lot!

08/01/2018 10:09
nga:Burim Ramadani

In Memoriam për të veçantët: Bekim Lumi dhe Ragip Sylaj

Dy njerëz të mëdhenj nga një vend i vogël. Të dy krejtësisht të veçantë. Të përbashkët e kanë veçantinë!

Pa ekuivoke. Sa të dashur, aq të drejtpërdrejtë. Sa të thellë, aq të tërhequr.

Ne jemi më pak.

Tash, nga fundi i këtij korriku të larë me shi e me lot. Kemi humbur shumë. Aq shumë sa jemi përhumbur e nuk kuptojmë! Aq shumë sa ndjejmë diçka që nuk patëm ndjerë. Kur ishin me ne e ne sorollateshim, kur duhej të ishim me ta e ata ishin të tërhequr prej mungesave tona.

Edhe mund të na kuptojnë. Prej atje ku janë bekuar, mund të kuptojnë pse ne nuk arritëm të kuptojmë veten.

E di. Të tillë kanë qenë gjithmonë.

Na kuptojnë vuajtjen, sepse të vuajtur kanë qenë. Me hallet e pangopshmërisë njerëzore janë përballë, por nuk kanë hequr dorë. Me telashet e pakuptueshmërisë njerëzore janë kacafytur, por kanë dalë mënjanë.

Po. Kur të tillët nuk janë, atëherë shohim që as ne nuk jemi.

Po. Kur ne lëngojmë, atëherë kuptojmë lëngimin e tyre jetësor.

Në përgjithësi, popujt e vegjël arrijnë të ndërtojnë veten në bazë të emrave dhe veprave që nxjerrin nga vetja.

Shqiptarët kanë nxjerrë emra të mëdhenj në botë. Identifikohemi para të tjerëve me humanistë e luftëtarë, artistë e sportistë.

Brenda nesh, të tillë kanë qenë edhe Bekim Lumi, edhe Ragip Sylaj.

Të dashur e të sinqertë, intelektualë të një kategorie rrallë të përsëritshme.

Sot, jemi më pak. Kemi mbetur të ngujuar në përditshmërinë tonë, që prishej nga Bekimi dhe që lartësohej nga Ragipi.

Shi e lot nga ky fundkorrik.