Lajme

Sherifi për Kurtin: Popullit i premtoi rishikim të marrëveshjeve të Brukselit, presidentit francez zbatimin e tyre

04/09/2020 16:35
nga:A. R.

Sekretari i Përgjithshëm i Nisma Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka thëne se kryeministri në largim, Albin Kurti, popullit të Kosovës i ka premtuar rishikim të narrëveshjeve, ndërsa presidentit të Francës zbatim të tyre.

“Që nga momenti kur kanë filluar bisedimet në Bruksel dhe sidomos pas nënshkrimit të çdo marrëveshjeje, Albin Kurti premtonte se sapo të vinte në pushtet do t’i “rishikonte këto marrëveshje”. Gjatë fushatës zgjedhore të 6 tetorit vazhdimisht e përsëriti se para se të fillonte dialogun me Serbinë do të rishikonte të gjitha marrëveshjet e nënshkruara nga qeveritë paraprake“, ka shkruar ndër të tjera ai në “Facebook”.

Postimi i plotë i Sherifit:

Popullit i premtoi Rishikim të Marrëveshjeve të Brukselit, ndërsa presidentit të Francës Emanuel Macron zbatim të tyre!

Që nga momenti kur kanë filluar bisedimet në Bruksel dhe sidomos pas nënshkrimit të çdo marrëveshjeje, Albin Kurti premtonte se sapo të vinte në pushtet do t’i “rishikonte këto marrëveshje”. Gjatë fushatës zgjedhore të 6 tetorit vazhdimisht e përsëriti se para se të fillonte dialogun me Serbinë do të rishikonte të gjitha marrëveshjet e nënshkruara nga qeveritë paraprake.

Mirëpo, siç informon Zyra e kryeministrit në detyrë, gjatë një bisede telefonike që ka pasur me presidentin e Francës, z. Emanuel Macron, “Albin Kurti, premtoi se Evropa nuk do të ketë kurrë surpriza, ngaqë qeveria e tij sheh në zbatimin e reciprocitetit zbatimin efektiv edhe të asaj çka përmbahet në marrëveshjet e Brukselit”

Reagimin tim po e ilustroj me atë çka thoshte Albin Kurti para se të hipte në pushtet. Si duket, edhe këtë premtim elektoral, njëlloj sikurse premtimet e tjera, Albin Kurti i ka shtruar në “Tavolinë Suedeze”: merr atë që i pëlqen dhe lë mbi tavolinë atë që nuk mund ta kapërdijë!