Lajme

Shefi i ushtrisë ruse: Rusia do ta fokusojë luftën në lindje të Ukrainës

03/25/2022 15:31
nga:Astrit Gashi

Shefi i ushtrisë ruse tha se Rusia tani do të fokusojë përpjekjet e saj të luftës në “çlirimin total” në rajonit lindor ukrainas të Donbasit.

Ministria e Mbrojtjes tha se Rusia kishte qenë duke i shqyrtuar dy opsione për “operacionin special ushtarak” – termin që Moska përdor për pushtimin e Ukrainës – dhe një ka qenë që e përfshinte të gjithë Ukrainën dhe tjetra e fokusuar në Donbas.

Komentet – që janë publikuar nga agjencitë shtetërore të lajmeve ruse – lanë të kuptohet për një ulje të qëllimeve të luftës së Rusisë. Forcat ruse janë përballur me rezistencë të fuqishme në veri të Ukrainës dhe përreth Kievit.

Sergey Rudskoy, kreu i departamentit kryesor operacional të Stafit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Ruse, tha se 93 për qind e Luhanskut dhe 54 për qind e Donjeckut ishin nën kontrollin rus.

Ai pretendoi se Rusia ka shkatërruar shumicën dërmuese të forcave ajrore dhe detare ukrainase dhe sipas tij, Moska ka kryer me sukses fazën e parë të konfliktit.

Megjithatë, Ministria e Mbrojtjes nuk e përjashtojë mundësinë e sulmeve ndaj qyteteve ukrainase që janë rrethuar dhe tha se Rusia do të reagonte menjëherë nëse do të ndërmerrej ndonjë hap për mbylljen e hapësirës ajrore mbi Ukrainë, diçka që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka kërkuar vazhdimisht.

Ministria po ashtu tha se Rusia do të vazhdojë pushtimin deri të përmbushen synimet e vëna nga presidenti rus, Vladimir Putin, raportoi agjencia Ria, pa specifikuar se cilat ishin këto synime.