Lajme

Shefi i hetimeve në Pejë që mori si dhuratë një lokal nga një biznesmeni, transferohet në Podujevë

08/09/2018 16:51
nga:Gazeta Blic

Shefi i hetimeve për Rajonin e Pejës Shpend Berisha, është transferuar në Rajonin e Podujevës deri në përfundimin e hetimeve ndaj tij për një lokal afarist në Komunën e Klinës, të cilin e kishte marrë si dhuratë nga Agron Kelmendi, biznesmen nga Peja, pronar i një kompanie patundshmërie.

Lajmin e kanë konfirmuar për “Gazeta Blic” burime brenda Policisë së Kosovës. Sipas të njëjta burimeve, masa e transferit të kapitenit Berisha është shqiptuar dy ditë më parë.

Inspektorati Policor i Kosovës ka filluar hetimet lidhur me këtë rast në korrik të këtij viti.

Lokali afarist me hapësirë disa metra katrorë, sipas Vesel Berishes, vëllai i kapitenit ishte ndarë për shkak të kontributit në UÇK, gjatë luftës së fundit në Kosovë. Por, jozyrtarisht “Gazeta Blic” merr vesh se bëhet fjalë për fshehje dhe prolongim të hetimeve që kanë nisur të zhvillohen ndaj biznismenit Kelmendi, i cili merret me shitblerje të pronave.

I njëjti biznismen ishte dëshmitar në gjykimin e ish-gjyqtares nga Deçani Safete Tolaj dhe djalit të saj, Fisnik Tolaj. Ajo u lirua nga akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ditë më parë, derisa djali i saj u dënua me 4 vjet e 6 muaj burgim efektiv për “ushtrim të ndikimit” dhe “falsifikim të dokumentit”.

Ndryshe, biznesmeni nga Peja, Agron Kelmendi, ka pasur disa raste të kontesteve pronësore që janë trajtuar në Gjykatën e Pejës.

Po ashtu, dega e të njëjtës gjykatë themelore, në Deçan, në vitin 2015 e kishte gjykuar Kelmendin dhe bashkëpunëtorin e tij, Ramiz Muriqin, për një rast “keqpërdorim të besimit”. Ata dyshoheshin se së bashku kishin keqpërdorur autorizimin e dhënë nga një serbe Sllobodanka Radunoviq për shitjen e një prone të saj në Kosovë, e në fakt nuk iu kishte kompensuar fare. /Gazeta Blic/