Cult

ShbK: Botuesit e Kosovës po injorohen, favorizohen ata të Shqipërisë

08/09/2019 17:17
nga:M K

Shoqata e Botuesve të Kosovës po ankohet për mungesë të korrektësisë nga ana e MKRS në tenderin e fundit të shpallur për blerjen e librave.

Sipas tyre me datë 22.07.2019 nga Zyra e Kryeministrit, më saktësisht nga Koordinatori Nacional për Kulturë dhe Rini është shpallur tenderi për blerjen e librave në vlerë 300,000€. Ne letrën e tyre të ankesës thuhet se ky tender është tenderi më i madh i përgatitur ndonjëherë për blerjen e librave dhe do të duhej të paraqiste lajm të mirë por fatkeqësisht, është e kundërta, shkruan Zëri, përcjellë GazetaBlic.

“Ne si Shoqatë e Botuesve të Kosovës jemi thellësisht të zhgënjyer nga injorimi që i është bërë të gjithë botuesve të Kosovës. Nga 66,897 copë libra vetëm 6,427 copë libra janë botime të Kosovës, që i bie as dhjetë përqind e librave nuk janë botime nga Kosova. Kjo gjë është e papranueshme. Madje, për të qenë edhe më skandaloz i gjithë projekti në vetvete, për titujt që janë të botuar edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, kërkohen decidivisht vetëm botimet nga Shqipëria (me isbn-në përkatëse). Kjo është e pashembullt. Nuk mund të gjesh shembull të njëjtë në asnjë vend tjetër. Për ilustrim, dua t’jua vë në pah ngjarjen famoze të blerjes së librave në Shqipëri (para rreth dhjetë viteve) kur shteti shqiptar ndau mbi një milion euro për librin. Zero cent shkuan për librat e botuar në Kosovë. Le që injorohemi totalisht në Shqipëri por, tanimë, injorohemi totalisht edhe në Kosovë”, thuhet në letrën e nëshkruar nga kryetari i Shoqatës së Botuesve, Edon Zeneli.

Në letrën e tij i pari i botuesve të Kosovës ngre pyetjen pse librat që janë botuar në Kosovë duhet të vijnë vetëm si botime të Shqipërisë.

“A e di Koordinatori Nacional për Kulturë dhe Rini që botuesit e Kosovës injorohen gjithnjë nga secila instancë në Shqipëri? A e di Koordinatori Nacional për Kulturë dhe Rini që prej 1 janarit të këtij viti çdo botimi të Kosovës i është shtuar 6% që duhet të paguhet në momentin që hyn në Shqipëri? A e di Koordinatori Nacional për Kulturë dhe Rini që botuesit nga Kosova kanë arritur të botojnë më së shumti nobelistë letërsie, më së shumti fitues të Çmimit Goncour (më i madhi çmim i letërsisë në Francë)? Përse edhe ata tituj që janë të botuar në Kosovë, e që janë në tendering në fjalë, duhet të vijnë vetëm si botime të Shqipërisë? Po taksat që i paguajmë ne? Po shtypshkronjat që i paguajmë në Kosovë? Po redaktorët tanë, lektorët tanë, korrektorët tanë, njerëzit që i mbajmë në punë?”, thuhet tutje në këtë leter. Tutje Zeneli njofton se ka provuar të kontaktoj edhe me zyrën e Koordinatorit Nacional por sipas tij e vetmja kohë kur ata duan ta takojnë është pasi të shpallet fituesi i tenderit. “Konsideroj që një çështje kaq e ndjeshme duhet të vihet në pah në të gjitha instancat prandaj vendosa t’ju shkruaj edhe juve, në mos për tjetër, që të jeni të njoftuar”, përfundon kështu letra e ShBK-së.

Gazeta “Zëri” ka provuar të kontaktoj përmes telefonit Koordinatorin Nacional për Kulturë dhe Rini, Rexhep Hotin për ta pyetur se pse botuesit e Kosovës në njëfarë forme janë injoruar, por nuk ka arritur ta kontaktoj.

12/06/2019 20:29

Pas tifozëve “Dardanë” edhe futbollistët e Kombëtares mbrojnë FFK-në