Lajme

“SHBA nuk po na kërcënon për taksën”

03/14/2019 20:36
nga:Gazeta Blic

Shpend Ahmeti, bashkëkryesues i Ekipit negociator për dialogun me Serbinë, ka thënë se gjatë të gjitha takimeve që kishin me përfaqësues të huaj, zyrtarë të lartë të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara, u është kërkuar pezullimi i taksës.

Sipas tij, SHBA-ja nuk e ka kërcënuar Kosovën me masa ekonomike apo të sigurisë, por “i ka dhënë qortim prindëror”.

“Taksa nuk duhet hequr pa u plotësuar disa kushte që Kosova e ka mundësinë t’i vendosë”, ka thënë Ahmeti.

“Janë përmendur rotacionet ushtarake”, ka thënë ai duke folur për takimin që kishin me ambasadorin amerikan në Kosovë. “Ambasadori e ka bërë të qartë që nuk është as kërcënim dhe as nuk është qëndrim zyrtar i Amerikës”.

“Megjithatë vërehet qartë një irritim, pakënaqësi që Shtetet e Bashkuara e kanë me Kosovën, gati se një qortim prindëror”, ka shtuar ai.

Ai e ka quajtur kërkesë aspak të drejtë presionin që po i bëhet Kosovës për heqjen e taksës. Sipas tij Serbia bën më shumë veprime dhe ndaj saj s’ka presion si ndaj Kosovës.