Lajme

Shatri: Kur mendon njeriu për sakrificën e Adem Jasharit është rrezik që mishi të largohet nga trupi

11/30/2024 21:33
nga:Mergim Rreci

Ish luftëtari i UÇK-së dhe tashmë trajneri i njohur i basketbollit kosovar, Fikret Shatri shpalosi rrëfimin e tij emocionues në dokumentarin ‘Expose’, prodhim i GazetaBlic.

Ai rrëfen sakrificat e përjetuara gjatë luftës së lavdishme në fund të viteve të 90-të, që nga veshja e uniormës e deri betejat e forta të zhvilluara në raport me forcat serbe, atje ku mori plagë personalisht dhe humbi poashtu familjarë, të cilët ranë heroikisht.

Emocionet më të mëdha tek Fikret Shatri shfaqen kur përmendet emri i komdantatit legjendar Adem Jashari.

Sipas tij, Serbia kishte menduar se duke e vrarë Adem Jasharin dhe familjen e tij, do ta shkrinte rezistencën shqiptare ndaj sulmeve të tyre barabare, por që kjo iu kthye në bumerang.

Ai tha se që nga ajo ditë, motivi dhe frymëzimi vetëm se është rritur, duke mos pyetur më për asnjë sfidë tjetër që kishin para vetes, thjesht ishin të vendosur që ta çonin në vend amanetin e tij, ta ndriçojnë dritën e lirisë në Kosovë.

“Kur mendon njeriu për sakrificën e Adem Jasharit është rrezik që mishi të largohet nga trupi. Që nga momenti kur është flijuar komandanti legjendar Adem Jashari me familje, ne nuk kemi pyetur më për asgjë, ka qenë frymëzim i jashtëzakonshëm. Serbia ka mendu që duke e shkri familjen Jashari, do ta shkrijë edhe rezistencën e armatosur çlirimtare, por kjo i është kthyer si ‘bumerang’. Nuk ka fjalë që e përshkruan frymëzimin që na ka dhënë komandanti me familjen e tij, heroizëm i paparë në nivel botëror. Të gjitha vështirësitë që kishim më pas, si në aspektin e armatimit e gjërave tjera ishin pastaj çështje të dorës së dytë, në krahasim me atë se çfarë motivi na ka dhënë komandanti legjendar Adem Jashari. Sot e kësaj dite ai na frymëzon, familja Jashari është pikë frymëzuese për të gjithë ne”, deklaroi Shatri.

/GazetaBlic/