Lajme

Shaqir Totaj beson në pafajësi

07/05/2018 20:22
nga:A. R.

Nuk i frikësohet hetimit të Prokurorisë Themelore në Prizren.

Beson në pafajësi.

Thotë se deklarata e tij, gjatë fushatës zgjedhore, është nxjerrë nga konteksti.

Ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, shprehet i gatshëm të bashkëpunojë me organet drejtësisë për të zbardhur të vërtetën e daklaratës së fushatës zgjedhore.

“Nuk kam çka të komentoj fillimin e hetimit të Prokurorisë, por jam i sigurt që në mungesë të provave edhe ky hetim do të përfundojë si në gjykatë”, tha Totaj për “PrizrenPress”.

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës, Shaqir Totaj, do të intervistohen nga Prokuroria në Prizren.

Prokuroria, ka nxjerrë një aktvendim për të filluar hetimet ndaj ish-kandidatit të PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, për gjuhën e përdorur gjatë fushatës zgjedhore vitin e kaluar kundër kandidatit të VV-së, Mytaher Haskuka.

Totaj(PDK) e Haskuka (VV), në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar kanë qenë kandidatë për kryetar të Prizrenit.
Lëvizja Vetëvendosje! në tetor të vitit të kaluar pati, dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Prizren kallëzimin penal kundër Shaqir Totaj.

Kallëzimi penal ishte bërë për gjuhën e përdorur gjatë fushatës nga Totaj.

Vetëvendosje! në atë kohë publikoi një audio-incizim që pretendonte se dëgjohet kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, teksa thotë se “ka ardhur koha që qytetin e Prizrenit mos me ja lonë në dorë njerëzve që s’dinë me fol shqip”, duke iu referuar Mytaher Haskukës, kandidatit të VV-së për kryetar të Prizrenit.

Po ashtu, në të njëjtin audio-incizim, sipas degës së VV-së në Prizren, dëgjohet Shaqir Totaj teksa flet me nënçmim për komunitetin turk.

“A mendon se dikush tjetër, turqelia që s’din me fol shqip, ka me ardh me ta rregullu çështjen e ujit e t’rrymës?”, dëgjohet teksa thotë Totaj në një prononcim tjetër, i cili, sipas LVV-së, është bërë në një tubim parazgjedhor në Has.
Vetëvendosje! pas fitores së Haskukës, nuk është marrë me padinë e ngritur kundër Totajt.

Ajo nuk i është përgjigjur as kërkesës së Gjykatës që të plotësojë e përmisojë padinë.

“ Paditësi nuk është përgjigjur në kërkesën e gjykatës, në kohën e paraparë me ligj, prandaj edhe gjykata ka marrë aktvendim që kjo çështje kontestimore është e tërhequr”, thuhet në aktevendimin e Gjykatës në Prizren.
Pavarësisht këtij, aktvendimi Prokuroria Themelore në Prizren, ka nisur hetimin e këtij rasti.

Prokurorit, Petrit Kryeziu tha se hetimet kanë filluar pas analizës së lëndës.

Ndërkaq, ish-kandidati për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj tha se edhe ky hetim do të ketë “fatin e të parit”.

“Edhe ky hetim do të përfundojë si në gjykatë”, tha Totaj.

Ai, padinë e Vetëvendosjes vazhdon të vlerësojë politike./PrizrenPress.com/

10/02/2018 18:15

Shaqir Totaj, ministër nga radhët e PDK-së?