Sporti

Shala: Në Vushtrri udhëtojmë për fitore

07/02/2020 17:32
nga:Lorik J

Bashkim Shala, mesfushori i Flamurtarit thotë se skuadra e tij do të udhëtojë në Vushtrri për të marrë tre pikë.

Flamurtarit do të përballet nesër me Vushtrrinë me fillim nga ora 17:00, në kuadër të xhiros së 28të të Superligës së Kosovës, raporton GazetaBlic Sport.

Shala beson se Vushtrria nuk duhet të nënçmohet, ndërsa thotë se skuadra e tij ka bërë përgatitjet maksimale për ta fituar këtë ndeshje mjaft të rëndësishme.

“Ne jemi përgatit për një ndeshje mjaft të fortë kundër Vushtrrisë. Ne duhet të vazhdojmë me këtë ritëm të ndeshjeve. Vushtrria është një klub i madh dhe fakti që është në fundin e tabelës nuk do të thotë që duhet të nënçmohet”, tha fillimisht Shala për GazetaBlic Sport.

Shala më pas potencoi se për të është një ndjenjë e veçantë të luajë ndaj Vushtrrisë, për shkak se në të kaluarën ka kaluar kohë të gjatë në këtë klub.

“Të luajë ndaj Vushtrrisë është një ndjenjë e veçantë, sepse është klubi ku unë jam rrit dhe kam luajtur për një kohë të gjatë”, vazhdoi ai.

Në fund, ai paralajmëroi se klubi i tij do të udhëtojë për në Vushtrri vetëm për fitore.

“Ne Vushtrri ne do të udhtojmë për fitore dhe do të vazhdojmë të punojmë për të arritur qëllimin e klubit, që është mbijetesa”, përfundoi ai.

Vlen të theksohet se skuadra e Vushtrrisë edhe zyrtarisht ka rënë nga Superliga dhe edicionin e ardhshëm do të garojë në Ligën e Parë, kurse Flamurtari po synon që me çdo kusht të qëndrojë në elitën e futbollit kosovar, pasi aktualisht ndodhet në pozitën e shtatë me 36 pikë.

/GazetaBlic/