Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, ka paralajmëruar se fundviti mund të shoqërohet me rritje të çmimeve, veçanërisht tek produktet ushqimore dhe mallrat esenciale, duke theksuar se kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në buxhetet familjare dhe fuqinë blerëse të qytetarëve, raporton GazetaBlic.
Shahni në një prononcim për GazetaBlic, tha se kjo situatë padyshim që do ta vështirësoj jetën e qytetarëve, veçanërisht për familjet me të ardhura të ulëta.
“Ne në Aleancën Kosovare të Bizneseve po e përcjellim me vëmendje situatën e fundit në treg dhe paralajmërimet për rritje të çmimeve gjatë fundvitit. Është e vërtetë se presionet inflacionare, sidomos tek produktet ushqimore dhe mallrat esenciale, do të kenë ndikim direkt në buxhetet familjare dhe në fuqinë blerëse të qytetarëve. Kjo padyshim e vështirëson jetën e tyre, veçanërisht për familjet me të ardhura të ulëta”, vlerësoi ai.
Tutje, ai ka bërë thirrje për koordinim më të mirë mes institucioneve shtetërore dhe sektorit privat, në mënyrë që të zbuten efektet negative të paralajmëruara.
Ndër të tjera, Shahini ka kërkuar që qeveria të ndërmarrë masa për uljen e kostove të importit, përmirësimin e politikave fiskale dhe mbështetjen e prodhuesve vendorë, ndërsa ka apeluar që bizneset të shmangin rritjet e panevojshme të çmimeve.
“Megjithatë, ne konsiderojmë se me koordinim më të mirë mes institucioneve shtetërore dhe sektorit privat, efektet negative mund të zbuten. Qeveria duhet të ndërmarrë masa për të ulur kostot e importit, për të përmirësuar politikat fiskale dhe për të mbështetur bizneset vendore që prodhojnë artikuj esencialë. Në anën tjetër, bizneset duhet të tregojnë përgjegjësi dhe të shmangin rritjet e panevojshme të çmimeve”, tha ai.
Ai ka theksuar se rritja e prodhimit vendor dhe zvogëlimi i varësisë nga importi përbëjnë zgjidhjen më të qëndrueshme për stabilizimin e çmimeve në planin afatgjatë.
Për fund, Shahini, ka konfirmuar se AKB do të vazhdojë të jetë një partner aktiv në gjetjen e zgjidhjeve që mbrojnë interesin e qytetarëve.
“Kosova ka potencial të rrisë prodhimin vendor dhe të zvogëlojë varësinë nga importi, dhe kjo është mënyra më e qëndrueshme për të stabilizuar çmimet në planin afatgjatë. AKB do të vazhdojë të jetë partner aktiv në këtë proces dhe do të kërkojë zgjidhje që mbrojnë interesin e qytetarëve, por edhe krijojnë kushte më të mira për zhvillim ekonomik”, përfundoi ai për GazetaBlic.

