Lajme

Shahini ngre alarmin: Në viti 2023 u mbyllën 5 mijë biznese, këtë vit do të rritet trendi i mbylljes

04/07/2024 21:39
nga:G B

Përkundër faktit që kryeministri i vendit, Albin Kurti proklamon se Kosova ka rritjen më të madhe ekonomike në rajon, realiteti është krejt ndryshe.

Shumë lokale jo vetëm në Prishtinë, por në tërë Kosovën, javëve të fundit në dritaret e tyre kanë vendosur mbishkrimin “Lëshohet me qira”.

Konsiderohet se janë hiq më pak se 5 mijë biznese që janë shuar përgjatë vitit 2023.

Të paktën kështu po pretendojnë nga Aleanca Kosovare e Bizneseve.

Ndonëse zyrtarisht janë mbyllur 1600 biznese, në fakt nga Aleanca e Bizneseve thonë se janë mbyllur apo janë shuar rreth 5 mijë biznese. Diskrepanca ndërmjet numrit të bizneseve që janë shuar realisht dhe atyre të mbyllura zyrtarisht, sipas kësaj aleance ka të bëjë me procedurat burokratike tepër të rënda për t’u mbyllur një biznes.

Konsiderohen se janë disa faktorë që kanë ndikuar në mbylljen e shumë bizneseve, si pandemia, kriza globale, ikja e punëtorëve dhe rënia e fuqisë blerëse.

Derisa ekspertët e ekonomisë ngrenë alarmin për trendin e mbylljes së bizneseve, nga shumica parlamentare thonë se Kosova është shndërruar në atraksion të investitorëve.

Në anën tjetër, Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve për emisionin “Expose” prodhim i Gazeta Blic ka dhënë shifra të frikshme të mbylljes së bizneseve.

Ai thotë se për dallim nga viti 2023 ku u mbyllën faktikisht hiq më pak se 5 mijë biznese, këtë vit shton ai, trendi i mbylljes do të vazhdon të rritet.

“AKB që nga viti 2002 dhe këndej bën një studim, hulumtim lidhur me trendin e hapjes dhe mbylljes së bizneseve. Mesatarisht deri në vitin 2020 janë hapur rreth 8 mijë kompani kurse janë mbyllur rreth 2 mijë kompani, brenda vitit. Ky trend ka ndryshuar pas 2020-ës ku shihet numri edhe më i madh i kompanive që janë hapur dhe po ashtu që janë mbyllur. Ne kemi hulumtuar se pse ndodhë kështu dhe çka ka ndodhur. Ka qenë pandemia një nga faktorët që ka ndryshuar statistikat, më pas kriza dhe kjo krizë po vazhdon dhe më tutje dhe bizneset janë në krizë qoftë të krizës globale, të brendshme, po bie fuqia konsumuese por asnjëherë s’ka pasur më shumë kompani të mbyllura faktike, është trefishi i bizneseve në mënyrë ligjore për arsye se procedurat e mbylljes janë tepër të rënda. Nëse vitin e kaluar i kemi pasur të mbyllura rreth 1600 zyrtare, rreth 5 mijë janë të mbyllura apo të shuara brenda vitit, e që këtë vit dyshohet se do të kemi shumë më shumë, për shumë arsye ku bizneset po deklarojnë se ka rënë fuqia konsumuese, ka rënë interesi i punëtorëve për të punuar dhe kjo bën që Kosova të ballafaqohet edhe me mungesë të mbështetjes financiare, bizneset e Kosovës, aty ku është mbështetja financiare është e shtrenjtë, e komplikuar dhe ka burokraci të lartë në banka dhe gjithë kjo po bën që ne vërtet të jemi një shtet konsumues, që gjithmonë prognozojmë apo konstatojmë por nuk marrim vendime në të mirë të zhvillimit ekonomik të vendit”, shprehet ai.

Kryetari i AKB-së ka ngritur alarmin për rënien e fuqisë blerëse.

Ai ka theksuar se në Kosovë janë hiq më pak se 100 mijë konsumatorë brenda vitit.

Shahini ka thënë se për mbylljen e bizneseve kanë ndikuar pagat e ulëta por dhe liberalizimi.

“Ka shumë faktorë ndër ta edhe vizat dhe pagat e ulëta. Liberalizimi i vizave ka ndikuar pozitivisht te qytetarët e Kosovës sepse më nuk presin nëpër ambasada, nuk i harxhojnë më 20 milionë euro për viza brenda vitit por ecim lirshëm atje ku ne dëshirojmë. Por kjo ka ndikuar që ne brenda këtyre 2 muajve të na lëvizin rreth 200 mijë veta dhe këtë e thonë statistikat, në Kosovë brenda 2 muajve kanë hyrë 2.6 milionë qytetarë dhe kanë dalë 1.7 dhe kjo është një trend që na tregon se do të kemi vazhdimisht rreth 100 mijë konsumatorë më pak brenda vitit sepse ata edhe nëse do të kthehen, një pjesë do të shkojë dhe kjo ndikon dukshëm në rënien e fuqisë blerëse e cila ndikon në zhvillimin ekonomik të vendit. Po ashtu, paga minimale që tashmë është bërë shaka në Kosovë dhe në tërë Ballkanin me pagën më të ulët në Ballkan, rreth 170 euro”, vlerëson ai.

Përpos faktorëve të përmendur më lart, Shahini përmend dhe faktin se Kosova është vend i varfër, nën sanksione e jo atraktiv për korporata të mëdha që të investojnë në Kosovë.

“Po ashtu, vendi më i varfër në Ballkan mbetet Kosova  dhe gjithë kjo na bën një shtet jo interesant për investitorët e huaj, shtet që nuk kemi dikë të interesuar ndonjë korporatë të fuqishme që të vjen, këtu ndikojnë edhe faktorët tjerë si ai i dialogut, sanksionet kundrejt Kosovës që janë pikë e dobët e jona dhe korporatat e fuqishme e shikojnë Kosovën ku është, në çfarë mekanizma ndërkombëtarë e anëtarësuar dhe Kosova gjatë këtyre 3 vite s’jemi anëtarësuar askund dhe s’kemi asnjë njohje të re dhe kjo ndikon negativisht tek hulumtimet e investitorëve që vijnë në Kosovë”. Thekson kryetari i AKB-së për ‘Expose’.

Agim Shahini ka theksuar se kur ka kriza të tilla ekonomike, është qeveria ajo e cila ndërmerr veprime e politika, të cilat do të ndikonin në rritjen ekonomike, hapjen e bizneseve të reja dhe tërheqjen e investitorëve të huaj.

“Zjarrfikës i krizës qoftë financiare apo politike duhet të jetë gjithmonë qeveria, jo të tjerët, të tjerët janë bartës, sektori privat është një nga faktorët kyç por të gjitha këto bien në përgjegjësinë e institucioneve të Qeverisë së Kosovës se sa ka ngritur dialogun me sektorin privat, sa ka bërë që sektori privat të promovohet jashtë shtetit, sa ka pasur mundësi që ta promovojë Kosovën që të ketë eksport më shumë dhe vitin e kaluar ne kemi 100 milionë më pak eksport, sa ka bërë që Kosova të jetë një vend atraktiv për investime të huaja por edhe për investime kapitale të cilat Kosova e ka pasur trendin më të ulët që nga viti 2017. Trendet statistikore sipas AKB-së janë të gjitha negative dhe për t’i bërë pozitive duhet së pari të jetë qeveria nxitës, së dyti sektori privat duhet të ketë fuqi financiare më të madhe e që këtë fuqi financiare e merr nga bankat. Bankat komerciale janë më të shtrenjtat në Kosovë në Evropë dhe neve na bëjnë jokonkurrent dhe na ulin fuqinë konkurruese karshi të tjerëve”, deklaron Shahini./Gazeta Blic/

11/17/2024 22:46

Ymeri: Dështimet në politikën e jashtme si pasojë e sjelljes politike të Kurtit