Sporti

Sermaxhaj ‘godet’ Ballkanin: Ndarja erdhi pas propozimit të kryesisë

04/15/2019 14:23
nga:Lorik J

Sami Sermaxhaj ka sqaruar ndarjen e tij me Ballkanin, që erdhi pas humbjes 2:1 nga Trepça ’89.

Trajneri prishtinas u nda sot me suharekasit, të cilët pohuan se divorci erdhi në pajtueshmëri të të dyja palëve.

Sipas Sermaxhajt, klubi ka vënë edhe masa disiplinore ndaj lojtarëve për rezultatet e fundit.

“Kryesuesit e klubit nuk kanë qenë të kënaqur me ecurinë e rezultateve të fundit, por poashtu unë pas lojës së fundit nuk jam pajtuar me propozimet e tyre mbi masat disiplinore ndaj lojtarëve, kështu që vendosëm të ndërpresim bashkëpunimin”, ka shkruar Sermaxhaj në Facebook.

“Dua të sqaroj që bashkëpunimi është ndërprerë me propozimin e kryesisë, e jo nga ana ime ngase me rastin e prezentimit tim në klub në prezencë të lojtarëve dhe stafit udhëheqës jemi dakorduar që objektivi kryesor këtë sezon është mbetja në superligë, kurse objektiv shtesë Kupa e Kosovës, kështu që KF Ballkani sot nuk është në zonën e barazhit dhe poashtu i kualifikuar në gjysmëfinale të kupës së Kosovës (për herë të parë në histori të klubit) dhe kam qenë i gatshëm të punoj deri në fund të edicionit për realizimin e objektivave të Klubit”, shtoi ish-trajneri i Prishtinës, i cili uroi klubin dhe trajnerin e ri, Gani Sejdiu për suksese.