Lajme

Sërish tensione mes Koresë së Veriut dhe SHBA-së!

09/26/2017 10:26
nga:M H

Koreja Veriore ka publikuar një video-incizim propagandistik në të cilin gjuan me raketa bombarduesit dhe aeroplanmbajtësin amerikan në mes të tensioneve të intensifikuara me SHBA.

Faqja e internetit të propagandës shtetërore “DPRK Today” ka publikuar incizimin vetëm disa orë pasi të shtunën bombarduesit amerikanë kanë fluturuar në afërsi të kufirit të Koresë Veriore, për çka ministri i Jashtëm koreanoverior Ri Yong Ho ka thënë në KB se “pas fyerjeve të Trump-it goditja e Amerikës me raketa është e pashmangshme”.

Foto montazhi tregon shpërthimet e mëdha të dy bombarduesve amerikan në sulmet raketore dhe goditje e drejtpërdrejtë e aeroplanmbajtëses USS Carl Vinson me raketë të shkrepur nga nëndetësja, transmeton Index.hr.

Në tekst i cili e përcjell incizimin pretendohet: “Nëse bombarduesit F-35 dhe B-1B dhe aeroplanmbajtësi Carl Vinson e nisin sulmin, me këtë renditje do të shkojnë në varr”, transmeton Gazetametro.net.

AP ka publikuar të shtunën se në Phenian është mbajtur tubimi i rreth dhjetë mijë njerëzve të cilët bërtitnin “Shkatërrim total”, dhe “Vdekje imperialistëve amerikanë”.
“E presim momentin e duhur për betejën përfundimtare kundër SHBA, perandorisë së keqe, në mënyrë që t’i largojmë SHBA nga bota”, ka deklaruar lideri i njësitit paramilitar Rojet e kuqe, Ri Il Bae.

“Në momentin kur udhëheqësi Kim Jong Un jep urdhër, do të shfarosim grupin e agresorëve”, ka shtuar ai.

Ministri i Jashtëm i Koresë Veriore, Ri Yong Ho, dje ka deklaruar se presidenti i SHBA Donald Trump i ka shpallur luftë vendit të tij dhe se Pheniani e mban të drejtën të ndërmarrë kundërmasat, duke përfshirë rrëzimin e bombarduesve strategjikë amerikanë, madje edhe nëse nuk gjenden në hapësirën ajrore të Koresë Veriore.