Lajme

Serbia në ‘panik’ për trajtimin që iu bë Kosovës në Samitin e Sofjes

05/17/2018 14:42
nga:Q F

Mediat serbe po e quajnë goditje me thikë pas shpine prezencën e Aleksander Vuçiq sot në Samitin e Sofjes.

Në një analizë të “Blic”, thuhet se mungesa e kryeministrit spanjoll Mariano Rajoy me Samitin në Sofje, dhe prania e Serbisë në të njëjtën ngjarje është thikë pas shpine.

“Rahoj nuk mori pjesë në një vend ku Kosova përfaqësohet si shtet sepse ai praktikisht do ta njohë statusin e shtetit si të barabartë me të tjerët. Nga ana tjetër, ne përfaqësohemi nga presidenti Vuçiq sepse siç tha ai, nuk mund t’i fusim thikë pas shpine Bullgarisë. Nga kjo po del se Spanja më fuqishëm ka mbrojtur pozicionin e saj në mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, ndërsa Serbia nuk po e bën këtë” thuhet në reagimin e mediave serbe.

Sipas gazetës serbe, Kosova po trajtohet si shtet në samitin e Sofjes.

Kujtojmë se në të njëjtin Samit, Kosova po përfaqësohet nga kryeministri Haradinaj, presidenti Thaçi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Pacolli.

Ndryshe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, janë takuar të mërkurën në Sofje në praninë e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Në një njoftim të zyrës së zonjës Mogherini thuhet se “të dy udhëheqësit konfirmuan gatishmërinë e tyre për të punuar intensivisht me shefen e politikës së jashtme për të arritur një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve, një element vendimtar për transformimin e gjithë rajonit. Marrë parasysh përparësinë që Bashkimi Evropian u jep marrëdhënieve me Ballkanin Perëndimor, posaçërisht këtë vit, është me rëndësi që të arrihet përparim në mënyrë që Serbia dhe Kosova mund të çojnë përpara aspiratat evropiane”, thuhet në njoftim.

Presidenti Thaçi tha se “u pajtuam që faza përfundimtare e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të fillojë në një të ardhme të afërt, me një mbështetje unike të BE-së, SHBA-së dhe aktorëve tjerë. Prandaj, është një momentum i ri që kërkon mobilizim të të gjitha forcave politike, shoqërisë civile dhe medieve në Kosovë, sepse përfundimi i procesit do të jetë njohja e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimi ynë në OKB. Ky takim është dëshmi e përkushtimit të Kosovës për dialog dhe fqinjësi të mirë, vetëm një ditë para fillimit të Samitit në Sofje”, shkroi presidenti Thaçi në rrjetin social facebook.

Edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se “ka shkëmbyer disa fjalë kurtuazie”, me presidentin e Kosovës, ndërsa zonjës Mogherini i ka thënë se Serbia është gjithnjë e gatshme të vazhdojë bisedimet me Kosovën, nëse kjo nënkupton gatishmëri të palës tjetër për kompromis.