Ministri i punëve të brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se dita e sotme është shënuar me plot suksese në zbatimin e ligjit ndërsa me plot dëshpërim për shkelësit e tij, raporton Gazeta Blic.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka publikuar pamje nga aksionet në veri, ku janë sekuestruar kamerat e vendosura dhe të kontrolluara ilegalisht nga strukturat paralele në Komunën e Shtërpcës, konfiskimi i 6 ton mallra të kontrabanduara nga Serbia., drogën në Kaçanik dhe kriptovalutat në Zveçan.
Postimi i tij i plotë:
Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë ka sekuestruar sot kamerat e vendosura dhe të kontrolluara ilegalisht nga strukturat paralele në Komunën e Shtërpcës, si dhe janë sekuestruar pajisje dhe dosje të ndryshme të tyre.
Dogana e Kosovës bashkë me njësitet policore kufitare po ashtu sot kanë konfiskuar mbi 6 ton mallra të kontrabanduara nga Serbia.
Njësitet policore të antidrogës kanë përfunduar me sukses operacionin në Ivajë të Kaçanikut me ç’rast janë konfiskuar mbi 5 kilogramë marihuanë dhe pajisje për mbjelljen dhe kultivimin e substancës narkotike.
Po ashtu, në Zveçan, Policia ka konfiskuar pajisje për prodhimin e kriptovalutave në vlerë prej 55 mijë euro dhe substancë narkotike të llojit marihuanë.
Lufta jonë ndaj ilegaliteteve që cenojnë jetën e qytetarëve tanë nuk ka alternativë. Dita e sotme shënohet me plot suksese në zbatimin e ligjit dhe me plot dëshpërim për shkelësit e tij.



