Lajme

Sekretarja e AAK-së: Kamarieri i Sheshelit po e sulmon Haradinajn sepse ishte mur mbrojtës kundër ndarjes

08/24/2019 13:13
nga:Gazeta Blic

Sekretarja Organizative e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj Bujupi, i ka komentuar akuzat e sulmet e shpeshta që po i bëhen Haradinajt kohëve të fundit nga liderët e mediat serbe.

Ajo këto sulme i ka lidhur me zgjedhjet dhe fushatën në Kosovë.

Ka thënë se kjo bëhet për ta goditur figurën politike të Haradinajt, i cili sipas saj, ka prishur të gjitha planet e Serbisë në mandatin e tij dyvjeçar në Qeveri.

“Sa më afër zgjedhjeve, Serbia po shton sulmet ndaj Ramush Haradinajt përmes publikimit të të pavërtetave në mediat e kontrolluara nga kamarieri i Sheshelit, Aleksandar Vuçiq. Qëllimi është që të goditet figura e Haradinajt, e ndërtuar me përkushtim e sakrificë kombëtare. Kryeministri Haradinaj ishte muri i vetëm mbrojtës nga politikat serbo-ruse gjatë dy viteve që shkuan, duke i prishur të gjitha planet për copëtim territorial. Kështu do të jetë edhe për katër vitet e ardhshme: 100% shtet!”, ka shkruar Kadaj Bujupi në llogarinë e saj në Facebook.

Ndaj këtyre sulmeve më herët ka reaguar edhe vetë kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj.

Sulmet që po i bëhen, ka thënë se vijnë nga mbetjet e Millosheviqit.