Lajme

Seanca për buxhetin e vitit 2019 vazhdon sot

12/07/2018 07:22
nga:Gazeta Blic

Sot, me fillim nga ora 11:00, pritet të vazhdojë seanca e Kuvendit të Kosovës ku do të shqyrtohet projektligji mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019.

Kjo seancë që ka nisur dje është karakterizuar me një debat të gjatë për projektligjin e buxhetit për vitin e ardhshëm.

Këtë projektligj, para deputetëve e paraqiti dhe arsyetoi Ministri i Financave, Bedri Hamza, i cili dha shpjegimet e nevojshme lidhur me projektligjin.

Sipas tij, Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2019, do të sigurojë një rritje ekonomike prej 4.7%.

Në emër të LDK-së, vlerësimin për këtë projektligj e paraqiti deputeti Lumir Abdixhiku. Ai nënvizoi se rritja ekonomike prej 4.7%, e paraparë në këtë projektligj, paraqet dështimin e zhvillimit ekonomik të vendit.

Qëndrimin e PDK-së për këtë projektligj e paraqiti deputetja Safete Hadërgjonaj. Sipas saj, projektligji i propozuar nga qeveria është i bazuar në shifra dhe mundësi reale, ndërkaq, përmban objektiva reale zhvillimore.

Sipas Vetëvendosjes, në emër të së cilës foli deputeti Albin Kurti, ndërkaq, Projektligji për buxhetin e vitit të ardhshëm, është buxhet shpenzues, e as pak zhvillimor.

Qëndrim kritik ndaj Projektligjit mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019, shfaqi edhe përfaqësuesi i PSD-së, deputeti Dardan Sejdiu.

Ai pati vërejtje në skemat sociale të parapara me këtë projektligj, dhe për më shumë, ai vlerësoi se me versionin e paraqitur është ndjekur praktika e gjertanishme e ndarjes buxhetore.