Lajme

Seanca në Hagë, përgjigjet e Fadil Gecit shkaktojnë të qeshura te ish-presidenti Thaçi

10/22/2024 11:11
nga:G C

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fadil Geci, i cili po dëshmon sot në rastin e krerëve të UÇK-së në Hagë, ka thënë se ai i ka raportuar në luftë vetëm Ahmet Krasniqit, ish-ministrit të Mbrojtjes në qeverinë e ekzilit.

Geci ka thënë se ai ka qenë pjesëtar i UÇK-së, por jo i LPK-së.

“Unë kam qenë pjesë e UÇK-së por jo e LPK-së”, ka thënë Geci.

Tutje, ai ka thënë se gjatë luftës i ka raportuar drejtpërdrejt ish-ministrit të qeverisë në ekzil, Ahmet Krasniqit.

“Unë i kam raportuar drejtpërdrejt kolonelit, ministrit të Mbrojtjes, z. Ahmet Krasniqi. Ajo ka qenë komanda kryesore e jona. Komandant ka qenë Ibrahim Rugova. Ajo ka qenë komanda e zgjedhur me ligj”, ka thënë ai.

Disa nga përgjigjet e Gecit, i kanë shkaktuar të qeshura Hashim Thaçi.

Geci në disa raste kërkonte që t’i përsëriteshin pyetjet, me arsyetimin se nuk e kishte kuptuar.

Atij i është tërhequr vëmendja disa herë nga ana e gjykatësit duke kërkuar nga ai që në pyetje të caktuara të përgjigjet me po ose jo.