Lajme

S’e zbatoi vendimin e Gjykatës, arrestohet ish-kryetari i Romës

01/01/2025 13:46
nga:G C

Ish-kryebashkiaku i Romës, Gianni Alemanno, është arrestuar mbrëmjen e 31 dhjetorit 2024 për shkelje të vendimit të dhënë nga Gjykata.

Ai ndodhet aktualisht në burgun Rebibbia, pas dënimit me një vit e dhjetë muaj burg në kuadër të hetimeve “Mondo di Mezzo”.

Dënimi i tij ishte konvertuar në punë të detyruar në shërbim të komunitetit, por gjykatësit kanë konstatuar se Alemanno nuk e ka respektuar këtë vendim.

Ish-ministri i Politikave Bujqësore dhe Pyjore, i cili themeloi lëvizjen “Indipendenza”, u shpall fajtor për ndikim të paligjshëm lidhur me pagesa të kompanisë komunale Eur Spa për Salvatore Buzzi dhe Massimo Carminati, dy figura të njohura të botës kriminale romake.

Gjykata e Mbikëqyrjes në Romë kishte miratuar një kërkesë për të kryer shërbime sociale në qendrën “So.Spe.–Solidariteti dhe Shpresa”, e cila ndihmon njerëz në nevojë për t’u integruar në shoqëri.

Megjithatë, Alemanno akuzohet për shkeljen e rregullave të përcaktuara, përfshirë ndalimin për të dalë nga shtëpia para orës 7 të mëngjesit dhe detyrimin për të qëndruar brenda pas orës 21:00, si dhe ndalimin për t’u shoqëruar me persona me precedentë penalë.