Lajme

SBASHK-u: Vendimi për kompensimin e orëve u bazua në ligjet e UNMIK-ut, MASHT-i heshtë

05/17/2019 23:21
nga:M K

‘Telenovela’ mes Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës dhe Ministrisë së Arsimit për orët e humbura në gjatë grevës, nuk po përfundon.

Pas verdiktit të Gjykatës Themelore ku është përkrahur vendimi i MASHT-it për zëvendësimin e orëve, vendim të cilin SBASHK-u nuk e ka respektuar, këta të fundit lëndën e kanë dërguar në Gjykatën e Apelit.

Ani pse fillimisht nga SBASHK-u patën deklaruar se do të respektojnë vendimin e Gjykatës, duket se kjo temë do të zgjatet akoma.

Lajmi.net ka kontaktuar me Rrahman Jasharin, kryetarin e SBASHK-ut i cili është shprehur se në vendimin e Gjykatës nuk janë respektuar shumë gjëra.

“Ne kemi thënë vendimi i Gjykatës do të respektohet, por nënkuptohet se nuk është vetëm një nivel gjykate dhe ne do ta harxhojmë çdo mundësi ta kërkuar të drejtën. Mirëpo duke analizuar vendimin e Gjykatës Themelore kemi parë se nuk janë respektuar shumë gjëra dhe fitohet bindja se vendimi është sjellë nga emocionet momentale”, tha Jashari.

Ai madje është shprehur se mund të ketë edhe ndikime politike në vendimin e Gjykatës, duke pretenduar se në këtë vendim Gjykata është bazuar në një udhëzim administrativ të UNMIK-ut të vitit 2015.

“Madje, krijohet përshtypje se ka edhe ndikime nga jashtë dhe politike, dhe ajo më e keqja që është se kur Gjykata e përkrahë në vendim të tillë të MASHT-it thirret në një udhëzim administrativ të UNMIK-ut të vitit 2005 i cili mbështet ligjin e atëhershëm për inspektorët e Kosovës dhe pas kësaj institucionet e Kosovës kanë nxerrur ligjin tjetër me ç’rast e kanë shfuqizuar ligjin e UNMIK-ut dhe me këtë konsiderojmë se edhe udhëzimi i cili lidhet me atë ligj të atëhershëm është zhvleftësuar do të thotë Gjykata nuk mund të bazohet në atë udhëzim administrativ”, vazhdoi ai.

Në fund, Jashari është shprehur se kanë informacione se ka filluar puna për rritjen e koeficientit për mësimdhënësit e ciklit të ulët, nga klasa 1 deri në 5 dhe është shprehur se deri atëherë vendimi i SBASHK-ut është të mos zëvendësohen orët.

“Ne do të vazhdojmë betejën me organe të drejtësisë sepse konsiderojmë se kemi të drejtë. Ne nuk kemi informacione zyrtare, por nga disa biseda kemi informacione se komisioni parlamentar ka filluar procedurat të krijohen mundësitë për t’u diskutuar kjo çështje dhe të përmirësohen koeficientet. Deri atëherë SBASHK-u qëndron në vendimin se orët nuk do të zëvendësohen”, tha Jashari.

Në anën tjetër, vendimin e SBASHK-ut nuk kanë dashur ta komentojnë nga Ministria e Arsimit duke thënë se ende nuk kanë ndonjë konfirmim zyrtar për këtë.

Vlen të theksohet se gjatë kohës së grevës janë humbur 15 ditë të plota mësim për të cilat SBASHK-u ka vënë kushte që të zëvendësohen.

05/27/2019 14:48

Kolegji Universum hap kampusin e ri modern në Prishtinë