Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç është shprehur këtë të martë, pak minuta para takimit të Open Balkan me kryeministrat Edi Rama dhe Zoran Zaev se marrëveshjet që do realizohen sot janë të rëndësishme për të tre shtetet.
“Marrëveshjet e sotme janë të rëndësishme për ne, ato janë bërthama e diçkaje që do të krijojë që kjo pjesë e Evropës të jetë në thelb pa kufij dhe shumë kohë më parë se sa ne mendonim”, shkruan Vuçiç në Twitter.
Këtë të martë po mbahet Samiti i “Ballkanit të Hapur” në Tiranë, takim mes kryeministrit Edi Rama me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Ata kanë mbërritur mbrëmjen e kaluar në Shqipëri, ndërsa Rama i priti me darkë mirësardhje në Elbasan duke shmangur kështu udhëtimin për në Tiranë, ku po mbahej protesta e thirrur nga Sali Berisha kundër ardhjes së Vuçiç.
Do të nënshkruhen rreth 5 marrëveshje:
1-Një treg i përbashkët dhe i lirë pune mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
2-Ngritja e një skeme të përbashkët ndërlidhje elektronike identifikimi për qytetarët në Ballkanin Perëndimor.
3-Marrëveshje ndërqeveritare mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për bashkëpunimin në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore atë të fitosanitarisë në Ballkanin Perëndimor.
4-Marrëveshje Shqipëri-Serbi për njohje e ndërsjellë të operatorit ekonomik për siguri (AEOS).
5-Marrëveshje Shqipëri-Maqedoni e Veriut për njohje e ndërsjellë të operatorit ekonomik për siguri (AEOS).
Nuk do të mungojnë diskutimet e liderëve për të ardhmen e Agjendës së Ballkanit të Hapur ndërsa në orën 13:00 do të dalin në konferencë për shtyp.
Rama pret Vuçiç dhe Zaev në Pallatin e Brigadave