Lajme

Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Vuçiq: Askush nga Serbia nuk do të shkojë në Tiranë

12/01/2022 20:17
nga:G C

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se askush nga Serbia nuk do të shkojë në Tiranë për Samitin Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor më 6 dhjetor për shkak të, siç e thotë ai, reagimit “të turpshëm” të BE-së për emërimin e Nenad Rashiqit si ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Vuçiq tha se zgjedhja e Nenad Rashiqit, “i cili fitoi më pak se një për qind, si dhe Rada Trajkoviqit, e cila ishte në listën e tij, tregon se Prishtina dëshiron përndjekjen, dëbimin dhe zhdukjen e serbëve në Kosovë”.

Ai mes tjerash, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është dashur të marrë dënimin e merituar të BE-së sot, por nuk e ka marrë, shkruan Euronews.

“Ai ka marrë diçka që ndoshta unë mund ta kuptoj, ndoshta askush tjetër. Dhe kështu sillen çdo herë, jo vetëm që kanë shkelur normat e Marrëveshjes së Brukselit, por edhe normat e së drejtës publike ndërkombëtare dhe të gjitha parimet dhe normat demokratike. Dhe nuk u intereson, prandaj kjo është në përputhje me interesat e një fuqie evropiane dhe me interesat që dikush duhet t’i zbatojë, kundër serbëve”, theksoi ai.

Ai tha se në Prishtinë kanë zgjedhur serbët që nuk kanë besimin e askujt në Kosovë, por kanë besimin e Albin Kurtit, për të cilin tha se është “llum terrorist”, dhe se kanë besimin e agjencive perëndimore që i vendosi në atë pozicion “duke menduar se do ta shkatërrojnë Serbinë dhe do të na trembin”.