Cult

Samir Karahoda dërgon Kosovën në Berlinale me filmin ‘Në mes’

01/14/2019 13:18
nga:FL.B

Filmi “në mes” i autorit Samir Karahoda do të jetë pjesë e garës ndërkombëtare të filmave të shkurtë “Berlinale Shorts”.

Kjo është hera e parë që një film nga Kosova pranohet në garën e Berlinales, që njihet si një nga festivalet më prestigjioze në botë.

Filmi trajton dy tema paralelisht; fenomenin e ndërtimit të shtëpive të njëjta dhe migrimin, e cila veçmas theksohet nëpër këto familje.

Nëpërmjet personazheve, portretizon marrëdhënien dhe solidaritetin në mes vëllezërve; sakrificën dhe vendosmërinë e prindërve për të mbajtur harmoninë brenda familjes; kuptimin dhe rëndësinë e shtëpisë dhe shpresës në mes kthimit apo jo në vendlindje.

Autori i filmit Samir Karahoda është shprehur i lumtur që filmi i tij debutues si regjisor është vlerësuar nga ky festival prestigjioz.

“Në mes” është inspiruar nga projekti fotografik “Vëllezërit Kosovarë” në të cilin Karahoda ka punuar në vitin 2011.

Producenti i filmit Eroll Bilibani theksoj që ky fakt edhe njëherë dëshmon për kapacitetet kreative të kinematografisë kosovare.

Filmi është prodhim i SK Pictures, i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Banka për Biznes, Komuna e Prizrenit, Komuna e Prishtinës dhe DokuFest.

Premiera e filmit në Berlinale do të jetë me 12 shkurt.