Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka përkujtuar 14 dhjetorin e vitit 1998, ditën kur Komandanti Mujë Krasniqi dhe 41 bashkëluftëtarë ranë dëshmorë gjatë betejës në Pashtrik për çlirimin e Kosovës, raporton GazetaBlic.
Lushtaku ka theksuar sakrificën e tyre heroike dhe kontributin e UÇK-së në rrugën drejt lirisë.
Postimi i plotë:
14 Dhjetori i vitit 1998 ishte një nga ngjarjet më të rënda për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Komandanti i Brigadës 113 Mujë Krasniqi (Kapuçi), bashkë me një grup prej 140 luftëtarësh atë ditë ishin futur në Kosovë përmes Pashtrikut, në kufirin verior në mes Kosovës e Shqipërisë.
Edhe pse po bënin rrugë të gjatë e të mundimshme, të shoqëruar nga pesha e madhe e armatimit e nga acari i bjeshkëve të Pashtrikut, zemra e secilit prej tyre kishte një vullnet të hekurt për të luftuar për çlirimin e Kosovës.
Befasisht, kjo rrugë do të ndërpritej nga breshëria e armëve të armikut që kishin zënë pozicionet e tyre. Kundërpërgjigjja e luftëtarëve të lirisë ndonëse e vështirë ishte e menjëhershme.
Pas disa orë luftimesh, 42 luftëtarë me në krye Komandantin Mujë Krasniqi kishin rënë dëshmorë. Në këtë ditë ranë dëshmorë: Afrim Musliu, Agim Mziu, Agron Mehmeti, Ali Krasniqi, Arben Hyseni, Astrit Bytyçi, Bashkim Krasniqi, Bekim Bytyqi, Beqir Gashi, Besim Qarri, Enver Olluri, Fadil Rashiti, Faton Gjylani, Gani Elshani, Gani Zogaj, Hafir Bajrami, Haki Prokshi, Hazir Selimaj, Hysen Bujupi, Hysni Kajtazi, Ilir Asllani, Isa Morina, Isa Olluri, Kadri Ademaj, Kadri Gashi, Luljeta Shala, Mentor Ibriqi, Mevlan Hoxha, Muhamet Dervishi, Naser Kelmendi, Qamil Olluri, Ramadan Elshani, Rifat Mziu, Selim Selimi, Sylejman Elshani, Veli Ballazhi, Xheladin Xheladini, Hazir Kryeziu, Qenë Qenaj, Xhevat Thaqi dhe Avni Kutllovci.
Shumë të tjerë kishin mbetur të plagosur.
Kjo ishte njëra ndër humbjet më të madha për UÇK-në dhe është vetëm njëra nga sakrificat e shumta të luftëtarëve të UÇK-së dhe popullit të Kosovës për liri.
Lavdi e përjetshme gjithë dëshmorëve të rënë me 14 dhjetor 1998!


