Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka bërë një reagim pas dyshimeve se ish-kryeprokurori Sylë Hoxha, së bashku me ish-shefin e AKI-së, Driton Gashi, kanë bërë marrëveshje për të përfshirë si agjentë të AKI-së dy persona fiktiv që të dëshmojnë kundër anëtarit të VV-së, Sabri Ramabaja në gjykatë.
Sallahu, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në ‘Facebook’, pa përmendur emra, ka akuzuar prokurorët se janë të përfshirë në veprime kriminale.
“Në vend të ndjekjes së kriminelëve, ditëve të fundit, por jo vetëm, po dëshmohet që vet prokurorët janë të involvuar në veprime kriminale. Është nevojë urgjente që kjo situatë të ndryshojë”, ka thënë ai.
“Përveç mekanizmit të vetingut, janë shumë të rëndësishme edhe ndryshimet ligjore që eliminojnë piramidat kriminale. Siç kemi thënë shteti i së drejtës nuk ka alternativë, prandaj edhe shumë shpejt pritet që këto ndryshime t’i procedohen Kuvendit të Kosovës”, shtoi tutje ai.