• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Aliu: Nuk pres shirita dhe nuk promovoj projekte për zgjedhje – Do të bëhen pas 12 tetorit

09/27/2025 17:01
nga:Sh R

Kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, është i ftuari i radhës në Blic Intervieë me Astrit Gashin, raporton GazetaBlic.

Aliu thotë se vet sllogani i programit për Ferizajn e Gjeneratës tjetër, është oferta edhe programi që ofron për qytetarët e Komunës së Ferizajt, ku thotë se u mbetet qytetarëve ta vlerësojnë dhe të vendosin se cili do të jetë rezultati me 12 tetor.

“Nuk është kjo detyra ime, detyra ime është që të kem një ofertë të përgjegjshme, një ofertë serioze, një ofertë zhvillimore, një projekt që është në kuader të një programi që është program shumë ambicioz dhe mbi të gjitha edhe vet sllogani i programit për Ferizajn e gjeneratës tjetër, kjo është arsyeja që unë garoj dhe kjo është oferta që unë bëj për qytetarët e komunës së Ferizajt, e ata pastaj do e vlerësojnë ofertën dhe do të vendosin se cili do të jetë rezultati i 12 tetorit”, tha ai.

Ndër të tjera ai shton se ka edhe shumë projekte të cilat tani nuk është duke i zhvilluar, ku thotë se shmang çështjet ku kanë të bëjnë me zgjedhjet komunale.

Aliu tregon se nuk pret shirita dhe nuk promovon projekte vetëm për shkakun se janë zgjedhjet, ai thekson se këto projekte do të përfundojnë pas zgjedhjeve.

“Ka edhe projekte që tash nuk jam duke i zhvilluar dhe arsyeja se pse tash nuk i zhvilloj është për shkak se në punën time në angazhimin tim, gjithmonë kam shmangur çështjet ku kanë të bëjnë me zgjedhjet, pra nuk dua të pres shirita dhe të promovoj projekte vetëm për shkakun se janë zgjedhjet, ato do të bëhen pas zgjedhjeve. Kjo është natyra dhe mënyra ime e punës, pra që unë të punoj në çdo ditë të punës brenda mandatit e pastaj mbi bazën e realizimit të projekteve por edhe mbi bazën e asaj që paraqësim si ofertë të kemi vlerësime por edhe të kemi besimin dhe mbështetjen e qytetarëve”, vlerësoi ai.

Tutje ai shton se nuk është marrë asnjëherë me kundërkandidatët e tij, i cili thotë se i vlerëson për kontributet që kanë dhënë dhe vlerat që ata kanë.

“Nga historiku i të bërit politik deri sa unë kam garuar në cdo garë, zakonisht unë u jam drejtuar vetëm qytetarëve të komunës sime, me ofertën, me programin, me platformën, nuk jam marrë me kundërkandidatët, sigurisht se janë kandidatë të cilët i vlerësoj për kontributet që kanë dhënë dhe për vlerat që ata kanë dhe është në zgjedhjen e qytetarëve që të përcaktohen se sa janë garues dhe cili do të jetë epilogu i garës që e kemi me rivalët”, u shpreh ai.

Por si kundër kandidat më sfidues Aliu thotë se e sheh kandidatin nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Ndoshta edhe pritjet kanë qenë edhe te vet qytetarëve që të jetë Hekuran Murati, duke qenë se është personi që më së mirë e përfaqëson Lëvizjen Vetëvendosje nga dega e LVV në Ferizaj, por është përzgjedhje e degës dhe lidershipit të LVV që ata të garojnë me një kandidat tjetër.Në bazë të ecurisë së kaluar dhe në bazë së performancës së kaluar do duhej të ishte kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje. Kandidat më sfidant do duhej të ishte i LVV-së”, përfundoi ai për GazetaBlic.