Lajme

Sa janë gjasat të nisë Lufta e Tretë Botërore: A do të ndërhynte NATO?

01/08/2020 11:13
nga:B. D

Konflikti mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, ka ngjallur një pyetje shqetësuese te opionin i gjerë se a do të nisë Lufta e Tretë Botërore pas hapave të rrezikshëm që fillimisht bëri Amerika me vrasjen e gjeneralit iranian Qasem Soleimani, e pastaj sulmi nga ana e Iranit në bazën ushtarake amerikane në Irak. Mirëpo, sipas Jonathan Marcus, korrespodent i BBC’së, Lufta e Tretë Botërore nuk mund të nisë pas këtyre hapave.

Korrespondenti i mbrojtjes dhe diplomacisë në BBC Jonathan Marcus ka treguar gjithashtu mundësinë e përfshirjes së NATO’s mes këtyre dy vendeve, duke kujtuar se vetëm njëherë NATO e ka marrë seriozisht situatën sa për të ndërhyrë.

“Ka pasur sulme të vazhdueshme ndaj bazave ushtarake amerikane në shumë vende gjatë dekadës së kaluar dhe asnjë prej tyre nuk është pasuar nga një përgjigje ushtarake e NATO’s. Megjithatë, hera e vetme që është aktivizuar Neni 5 i traktatit të NATO’s ishte për sulmet e 11 shtatorit në SHBA”, ka thënë Jonathan Marcus.

Tutje, ai ka thënë se vendet e NATO’s nuk duan të bëhen pjesë aktive e një përplasje mes Amerikës dhe Iranit.

“Qartësisht, një numër i aleatëve amerikanë në NATO kanë anijë dhe trupa në rajon që mund të jenë potencialisht në linjën e zjarrit. Por nëse Washingtoni do të marrë masa të mëtejshme ndaj Iranit, ka gjasa që ta bëjë i vetëm”, ka shtuar Korrespondenti i mbrojtjes dhe diplomacisë së BBC’së.

Ndërsa, në mundësitë e shpërthimit të Luftës së tretë Botërore, Marcus thotë se konflikti i Iranit me Amerikën nuk do të sillte luftë gjithëpërfshirëse.

“Kjo nuk do të sjellë Luftën e Tretë Botërore. Aktorët kyç që mund të jenë përfshirë në këtë konflikt, për shembull Rusia dhe Kina, nuk janë lojtarë domethënës në këtë dramë. Ky mund të bëhet një moment vendimtar për Lindjen e Mesme dhe për rolin e Washingtonit në të. Reagimi i Iranit mund të çojë në një cikël veprimesh dhe reagimesh që mund të çojnë dy vendet gjithnjë e më pranë një konflikti gjithëpërfshirës”, veçon Marcus.

Sa i përket qëndrimit të Kombeve të Bashkuara te këto sulme, Marcus thotë se është vështirë të vihet në diskutim pikpamja e tyre.
“Përtej qendrimit të përfaqësuesve individual, është paksa e vështirë të thuhet se cila është pikëpamja e OKB’së për këtë konflikt. Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres është shprehur se është thellësisht i shqetësuar për rritjen e tensioneve në Lindjen e mesme”, thotë Korrespondenti i mbrojtjes dhe diplomacisë së BBC’së Jonathan Marcus.

Gjithashtu, kujtojmë që Irani nuk ka përgatitje ushtarake aq sa Amerika për luftë, pasiqë Irani nuk ka një program armësh bërthamore për këtë qëllim, edhe pse ka një serë elementesh që mund të kontribuojnë për një program të tillë dhe njohuritë për të vijuar me një të tillë.

Irani është zotuar të hakmerret pasi komandanti i tij më i fuqishëm ushtarak u vra nga një sulm me avionë amerikanë në aeroportin e Bagdadit, gjë që u dëshmuar me sulmin që bëri sot në orët e para të mëngjesit në bazën ushtarake amerikane në Irak, por fuqitë e ushtrisë së Iranit dhe të SHBA’ve janë shumë larg njëra-tjetrës.

Ushtria e SHBA’ve i prin listës me ushtrinë më të fuqishme në botë, ndërsa Irani figuron në vendin e 13’të të kësaj liste.