Lajme

Sa është e mundshme ideja e Vjosa Osmanit për qeveri tranzitore?! Flet analisti politik!

06/02/2020 17:13
nga:Norë Kelmendi

Propozimi i kryetarës së Kuvendit, Vjosa Osmani, që vendi të ketë një qeveri tranzitore për 6 deri në 9 muaj, po shihet i parealizueshëm, sipas analistit politik Arton demhasaj, shkruan GazetaBlic.

Demhasaj, thotë për Gazetën Blic, se do të ishte ide e qëlluar, nëse në kohën kur dialogu Kosovë-Serbi do të kthehej në një fazë tjetër, do të kishim një qeveri gjithëpërfshirëse.

“Mundet me qenë e mundshme nëse grupet politike janë dakord. Nëse flasim për idenë që Kosova ka me u kthy në procesin e dialogut, kishë qenë më mirë për Kosovën të kishe pasë një qeveri gjithëpërfshirëse. Personalisht e shoh të parealizueshme një gjë të tillë pasi ka mendime të ndryshme të partive politike dhe kjo vështirë se mund të ndodhë”.

Gjatë ditës së sotme, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë për Gazetën Blic, se deri sa do të krijoheshin rrethanat për zgjedhje për shkak të pandemisë, e vetmja zgjidhje e cila sipas saj do të parandalonte përplasjet e mëdha në spektrin politik, do të ishte një qeveri tranzitore për 6 deri në 9 muaj.

“Mendoj se e vetmja mënyrë për të parandaluar polarizimin ekstrem dhe përplasjet e mëdha në këto kohë sfiduese do të kishte qenë një qeveri tranzitore, ta zëmë për 6-9 muaj, e udhëhequr nga një figurë unifikuese mbi-partiake dhe me ministra teknik”, ka thënë Osmani për GazetaBlic.

Kjo sipas Osmanit, do mundësonte tejkalimin e krizës politike e ekonomike, përgatitjen për organizim të zgjedhjeve të reja, arritjen e konsensusit rreth dialogut dhe mbrojtjes së integritetit territorial.

Kryetarja e Kuvendit konsideron se qeveritë që janë të varura nga Lista Serbe, nuk kanë sjellë stabilitet.

Duke marrë prasysh që edhe Qeveria Hoti do të varet nga votat e Listës Serbe, Osmani konsideron se asnjë vendim më nuk është vetëm i Kosovës, por si rezultat i kompromiseve me Serbinë.

“Qeveritë që varen në tërësi nga Lista Serbe asnjëherë nuk kanë sjellur as sukses e as stabilitet, sepse varshmëria nga Lista Serbe rrezikon arritjen e çdo objektive apo suksesi në të mirë të vendit”, ka theksuar ajo për Gazeta Blic.

Ajo paralajmëron që nëse Qeveria varet nga Lista Serbe, as ligjet e thjeshta nuk do të mund të miratohen pa pajtimin e Beogradit.

“Asnjë vendim më nuk është vetëm i vendit tonë por është rezultat i kompromiseve Kosovë-Serbi. Pra as edhe ligjet më të thjeshta nuk do të mund të kalojnë pa pajtimin e listës serbe, që do të thotë pa pajtimin e Beogradit”, ka theksuar ajo.

Jo shumë kohë më parë, ka qenë presidenti Thaçi ai që e ka mbështetur idenë për një qeveri gjithëpërfshirëse, derisa e njëjta ishte kundërshtuar fuqishëm nga Lëvizja Vetëvendosje, duke kërkuar kështu zgjedhje të reja.

Osmani ekskluzivisht për Blic: Zgjedhjet e reja sjellin legjitimitet – Vetëm një qeveri unifikuese tranzitore do të parandalonte përplasjet e mëdha politike

06/21/2020 17:39

Shkarkimi i Vjosa Osmanit, Demhasaj: Kjo është qërim hesapesh brenda grupeve të LDK-së