Lajme

Rusisë i mundësohet kthimi në Këshillin e Evropës

06/25/2019 12:04
nga:L H

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi për kthimin e Rusisë në këtë dhomë pas një pauze trivjeçare.

Votimi u zhvillua në orët e para të së martës, pas disa orëve debat në Strasburg.

Për kthimin e Rusisë votuan 118 delegatë, kundër ishin 62, ndërsa dhjetë abstenuan, përcjell rel.

Këshilli i Evropës është organi kryesor i të drejtave të njeriut në kontinent.

Në vitin 2014, Rusisë iu hoq e drejta e votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, si ndëshkim për aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë.

Rusia u përgjigj në vitin 2016 me bojkotimin e Asamblesë, ndërsa nga viti 2017 refuzoi të paguajë kontributin e saj vjetor prej 33 milionë eurosh në Këshill.

Rusia kërcënoi se do ta linte tërësisht Këshillin e Evropës nëse delegacioni i saj nuk kthehet dhe nuk voton, këtë javë, për sekretarin e ri të përgjithshëm.