Lajme

Rusia reagon pas vendimit të Parlamentit Europian: Jemi gati për masën ekstreme!

09/19/2024 21:11
nga:Y I

Rusia është gati të shkojë drejt një vendimi ekstrem nëse raketat perëndimore godasin në brendësi të territorit rus.

Këtë fakt e ka bërë të ditur kryetari i Dumës ruse.

Ligjvënësi i lartë rus tha se sulmet e Ukrainës ndaj Rusisë me raketa perëndimore do të çonin në luftë globale me përdorimin e armëve bërthamore dhe se përgjigja e Moskës do të ishte e ashpër me armë më të fuqishme.

Vyacheslav Volodin, kryetari i Dumës së Rusisë, nënvizoi edhe votimin e Parlamentit Europian duke theksuar se nëse Perëndimi jep leje për sulme të tilla thellë në territorin rus, atëherë kjo do të çonte në një “luftë globale me përdorimin e armëve bërthamore”, shkruan A2.

“Rusia do të japë një përgjigje të ashpër duke përdorur armë më të fuqishme”, tha Volodin, një aleat i Presidentit Vladimir Putin.

Volodin tha se Moskës i dukej se Perëndimi kishte harruar sakrificat e mëdha të bëra nga Bashkimi Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore. Ai tha se evropianët duhet të kuptojnë se do të duheshin raketa balistike ndërkontinentale ruse RS-28 Sarmat, e njohur si Satan II nga disa, vetëm 3 minuta e 20 sekonda për të goditur Strasburgun.

Sakaq, Putin ka premtuar prodhimin e një numri të madh dronësh për vitet e ardhshme. Në vitin 2023, 140 mijë dronë të llojeve të ndryshme iu dorëzuan forcave të armatosura ruse dhe vitin e ardhshëm prodhimi i këtyre armëve pritet të rritet “dukshëm, me gati 10 herë”. Kështu ka deklaruar presidenti rus Vladimir Putin. Shumica e këtij prodhimi, shtoi udhëheqësi rus, do të dërgohet në trupat në front.

Lufta e Ukrainës ka shkaktuar konfrontimin më të madh midis Rusisë dhe Perëndimit që nga kriza e raketave Kubane e vitit 1962, e cila konsiderohet të jetë koha kur dy superfuqitë e Luftës së Ftohtë iu afruan më shumë luftës bërthamore të qëllimshme