Lajme

Rudari, Fetahu e Bulliqi të gatshëm për zgjedhje në Podujevë, presin vetëm përmirësimin e gjendjes me Covid 19

05/26/2020 18:43
nga:E Sh

Me përhapjen e virusit COVID 19 në vend, procesi zgjedhor i paraparë më 15 mars për kryetar të Podujevës u pamundësua.

Tashmë ka mbi dy muaj që për zgjedhjet në këtë komunë nuk është caktuar ndonjë datë e re, derisa ajo mbetet nën menaxhimin e nënkryetarit Nexhmi Rudari.

Megjithatë, kandidatët për kryetar të Podujevës janë të gatshëm të futen në garë zgjedhore.

Rudari, nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë për “Gazeta Blic” se pas lehtësimit të masave kundër koronavirusit, është i gatshëm për zgjedhje.

“Jam i gatshëm kurdoherë që vendoset. Për mua edhe atëherë kur u pezulluan zgjedhjet, edhe tash më e rëndësishme është jeta e qytetarëve se sa dita e votimit apo fushata. Për këtë çështje është IKSHPK-ja dhe MSH-ja që duhet ta studiojnë gjendjen nëse duhet të shkojmë në zgjedhje, nëse ata vlerësojnë se janë plotësu kushtet, ne si LDK dhe unë si kandidat jam i gatshëm që nesër të dal në zgjedhje dhe me u kry ky proces”, tha ai.

Me të pajtohet edhe kandidati nga Partia Demokratike e Kosovës, Naim Fetahu, i cili thotë se vetëm pas sigurisë së shëndetit të qytetarëve, zgjedhjet do  të mbahen.

“Ne e kemi vendosë shëndetin në rend të parë të komunës sonë dhe prej atëherë kemi lënë që në bazë të udhëzimeve të Institutit të Shëndetit Publik dhe organet kompetente të veprojmë. Kurdo që merret vendim për mbajtjen e zgjedhjeve, ne jemi të gatshëm të kryejmë punën tonë”.

Ndryshe po mendon Shpejtim Bulliqi, kandidat për kryetar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ai për “Gazeta Blic” tha se kushtet për zgjedhje janë krijuar, duke shtuar se kohë e mundshme për mbajtjen e tyre do të ishte pjesa e parë e qershorit.

“Ne kemi thënë se meqë kemi lehtësim të masave dhe situatë më të relaksuar të pandemisë ditëve të fundit, tani më janë krijuar kushtet e përshtatshme për me u zhvillu procesi zgjedhor i mbetur përgjysmë dhe koha më optimale do të ishte pjesa e parë e qershorit, më së largu në mesin e qershorit që ky proces të mbyllet. Vetë fakti që komuna për kaq muaj ka mbetur pa menaxhim të mirëfilltë nga ushtrues detyre që e bën nënkryetari i komunës dhe kjo kur kihet parasysh fakti që për këtë periudhë të menaxhimit të krizës së pandemisë janë shumë probleme në menaxhimin e komunës, prandaj është në interes të qytetarëve që ky proces të përmbyllet sa më shpejt që është e mundur”.

Bulliqi shton se deri tash, kjo komunë nuk është qeverisur mirë.

“Qytetarët për kaq kohë kanë pa që nuk ka qenë menaxhim perfekt, në radhë të parë të parasë publike, prandaj janë krijuar kushtet që me u bë një transformim gradual i qeverisjes”.

Sot Lëvizja Vetëvendosje me një letër drejtuar KQZ-së, kërkon që zgjedhjet në komunën e Podujevës të mbahen më 14 qershor, saktësisht tre muaj pas që kur u pezulluan.

Lëvizja Vetëvendosje i përzien kompetencat e KQZ-së me ato të presidentit – kërkon të mbahen zgjedhjet

06/29/2020 18:54

Paralajmëron zyrtari i LDK-së: Edhe PDK po futet në Qeverinë e Kosovës, Edi Rama, Hashim Thaçi dhe Aleksander Vuçiq po duan ta ndajnë Kosovën