Lajme

Rrustemi i VV-së i reagon këshilltarit të Thaçit: Mos dezinformo e mos krijo përçarje

04/09/2020 13:36
nga:E Sh

Pas reagimit të sotëm të këshilltarit të Presidentit për Qeverinë lidhur me vendimin për autorizim të ministrit të Shëndetësisë për masa gjatë pandemisë, ka reaguar edhe Adnan Rrustemi nga VV.

Adnan Rrustemi nga Vetëvendosje ka shkruar në Facebook se këshilltari i presidentit duhet të dijë dallimin në mes vendimit për karantinim (që e bën MSH) dhe ndryshimit të orarit të lëvizjes dhe qarkullimit.

“ Por më e çuditshmja dhe më e rëndësishmja është që këshilltari i presidentit bën thirrje që të mos zbatohet ligji për sëmundjet ngjitëse sepse është publikuar në Gazetën Zyrtare me 15 tetor 2008, tetë muaj pas shpalljes së pavarësisë e gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës.

Së pari, po harron ky se pikërisht në atë kohë, 2007-2016 shefi i tij (Thaçi) ka qenë Kryeministër e zëvendës. Së dyti, me atë ligj dhe ato norma është vepruar nga IKSHPK dhe institucionet kudo. Në bazë të këtij ligji janë nxjerrë udhëzime administrative nga Ministria e Shëndetësisë pikërisht në kohën kur shefi i tij ishte Kryeministër. Së treti, në mes të pandemisë, nuk bëjnë thirrje për zbatim të rregullave dhe kujdes por për mosrespektim e moszbatim të vendimeve e ligjeve, e për relativizim e përçarje. President e Kabinet që po nxit konflikt, të shkujdesur plotësisht për jetën e qytetarëve”, ka thënë ai.

Rrustemi shton se Behramaj fshihet pas hijes së Presidentit e prej andej gjuan gurë shëndetit publik.

“Shefi i tij u padit për thirrje në rezistencë e mosbindje civile. Tani me siguri po e sjell punën të paditet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për shpifje. Nëse z. Behramaj dëshiron të bëj opozitë le të dalë edhe formalisht në subjektet opozitare dhe jo nga kabineti i Presidentit të dezinformojë.

Prandaj, mos përhapni dezinformata dhe mos krijoni përçarje në këtë kohë kur do të duhej që secili të kryej detyrën e vet në raport me gjendjen ku gjendet vendi ynë. Përndryshe për çdo informatë mund të drejtoheni te institucionet përkatëse para se të dezinformoni opinionin”, ka shkruar ai.