Lajme

Rritje e rasteve të gripit sezonal, mjekët bëjnë thirrje për vaksinim

12/15/2025 14:58
nga:N K

Me rënien e temperaturave, është vërejtur një rritje e numrit të pacientëve që po kërkojnë shërbime mjekësore në Qendrat e Mjekësisë Familjare në gjithë vendin, për shkak të simptomave të gripit sezonal. Mjekët u bëjnë thirrje qytetarëve që të jenë më të kujdesshëm dhe të vaksinohen kundër gripit sezonal.

Me ardhjen e stinës së ftohtë, Qendrat e Mjekësisë Familjare po përballen me një shtim të dukshëm të rasteve të gripit sezonal. Megjithatë, mjekët apelojnë për vaksinim, me qëllim që gripi sezonal të kalohet më lehtë. Ndërkohë, disa qytetarë që tashmë janë vaksinuar i kanë thënë Radio Kosovës se vaksina kundër gripit ka pasur efekt të mirë tek ata.

“Po, jam vaksinuar çdo herë, më ka ndihmuar shumë dhe për këtë arsye asnjëherë nuk kam qenë i sëmur”, tha një qytetar.

Nga Instituti i Shëndetit Publik, Faik Hoti, i ka thënë Radio Kosovës se programi i vaksinimit kundër gripit sezonal ka një shkallë të mirë të mbulueshmërisë. Sipas tij, qytetarët që ende nuk janë vaksinuar do të kenë mundësi ta marrin vaksinën me kohë dhe të krijojnë imunitet të mjaftueshëm për parandalimin e gripit.

”Vaksinimi kundër gripit sezonal siç edhe e kemi pritur këtë vit bazuar në traditat e kaluara, ka një ecuri shumë të mbarë. Numri më i madh i të vaksinuarve është te personat e moshës mbi 65 vjeç, personat me sëmundje shoqëruese por në vaksinim janë përfshirë edhe punëtorët shëndetësorë, fëmijët, gratë shtatzëna dhe përgjithësisht është një rrjedhë e mbarë”, tha Hoti.

Mjekët familjarë theksojnë se simptomat më të shpeshta të gripit sezonal përfshijnë temperaturë të lartë, dhimbje koke, kollë, dhimbje fyti dhe lodhje të përgjithshme.

Sipas mjekes Floriana Grezda, shumica e rasteve kalojnë pa komplikime, por rreziku mbetet më i lartë te personat me sëmundje kronike, të moshuarit dhe fëmijët e vegjël.

”Gjithmonë atakohet pjesa me frymëmarrje, dhimbje të fytit dhe me ndonjë koll të thatë, mendoj me shkuarje të hundës, me ethe e me dhimbje të trupit dhe humbje të apetitit. Disa personave për shkak të gripit mund t’u vije gjendja që i detyron të rrinë shtrirë”, tha Grezda.

Drejtori i QKMF-së në Prishtinë, Valdet Hashani, ka deklaruar për Radio Kosovën se ka një rritje të lehtë të numrit të pacientëve që po kërkojnë ndihmë mjekësore si pasojë e gripit sezonal. Ai ka bërë të ditur se vaksinimi kundër gripit sezonal mund të bëhet çdo ditë pune në njësitë e vaksinimit në kuadër të Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare në çdo komunë.