• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Rritja e largimeve nga FSK-ja: Ish-koloneli Gecaj parashikon rreziqe për Sigurinë Kombëtare

10/27/2024 22:01
nga:G C

Ish-koloneli i FSK-së, Hysen Gecaj ka vënë në pah se po rrezikohet siguria kombëtare, pasi sipas tij, dy viteve të fundit ka pasë ikje të ushtarëve si asnjëherë më parë.

Gecaj për “Expose” tha se nuk është në pyetje vetëm financat, por edhe keqmenaxhimi që po bëhet në Ministri dhe në Shtabin e Pëgjitshëm të FSK-së.

“Ikje ka patur edhe në të kaluarën mirëpo në këto dy vitet e fundit si duket sipas disa informatave që kanë dalë edhe në publik ky numër është shtuar dhe për fat të keq kjo është një tregues negativ për punën që bëhet qoftë në Ministri apo Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë. Ky numër është dukshëm më i madh se sa largimet në të kaluarën që janë bërë nga Forca e Sigurisë. Natyrisht njerzit gjithmonë kërkojnë të gjejnë një vend më të mirë për veten e tyre kur kanë një benefit financiar sepse ata mbajnë familje dhe kjo është e domosdoshme. Mirëpo kjo diferencë kaq e madhe në numra të largimeve të pjestarëve të FSK-së, është shqetësuese, dhe si duket aty janë një varg faktorësh, nuk është vetëm faktori pagë determinues i cili përcakton se një pjestar i FSK-së do të qëndrojë ose do të largohet. Në radhë të parë është trajtimi që i bëhet pjestarit të FSK-së përbrenda institucionit dhe në qoftëse aty ka lëshime në këtë drejtim atëherë kjo ndikon edhe njerzit largohen. Sepse aty kryhen trajnime, shkollime dhe nëse dikush ka kryer një trajtnim dhe ka qenë i sukseshëm, është i suksesshëm edhe në kryerjen e detyrave dhe pastaj e sheh që shoku i tij po avancohet pa ndonjë meritë të theksuar, kjo menjëherë sjell deri tek pakënaqësia dhe tek largimi i pjestarëve të FSK-së” , tha Gecaj.

Gecaj e sheh si thelbësore që qeveria të llogarisi nevojat ekonomike dhe financiare të ushtarëve, duke marrë parasysh standardin jetësor në vend dhe krahasimet me ushtritë e tjera në rajon.

“Për pjesët e FSK-së ka edhe një specifikë tjetër se ata pjestarë shpeshherë janë në misione jashtë vendit. Derisa ata janë jashtë vendit, familja e tyre, është në Kosovë, dhe ai duhet të atje gjatë misionit të tij të jetë pa brenga për mirqenien e familjes. Kështu që këto janë çështje që duhet të llogariten në aspektin ekonomik dhe financiar nga vetë Qeveria e cila i ka të gjitha të dhënat edhe për standartin përbrenda shtetit por edhe krahasimet tjera që mund të bëhen me ushtritë tjera në regjion. Unë do të thoja që këto krahasime me regjionin nuk duhet të jenë kriteri i parë për të krahasu sepse ka faktorë të tjerë aty që ndikojnë në dallime, mirëpo duhet të merret në radhë të parë fuqia financiare e vet shtetit të Kosovës dhe standartit jetësor në Kosovë”, tha Gecaj për Expose.